Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është liruar nga masa e arrestit në shtëpi, që mbahej që prej 21 nëntorit 2023. Masa e arrestit është zëvendësuar me garanci pasurore.
Malltezi ndodhet nën hetim për çështjen e njohur si “dosja Partizani”, ku akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas akuzave, ai ka përfituar në mënyrë të parregullt të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Sali Berisha.
Në një prononcim për media nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Malltezi e cilësoi procesin ndaj tij si politik dhe me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Kemi zëvendësimin e masës me garanci pasurore. Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, ishte një urdhër politik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, por me një shtet që lufton armiqtë e PS. Vendimi i sotëm vjen pas 20 muajsh privim lirie thjesht me një urdhër politik të Edi Ramës. E mbani mend se si në Kongresin e PS Edi Rama urdhëroi SPAK të procedojë penalishët Sali Berishën, të njëjtën gjë e kërkoi edhe ambasadorja e korruptuar amerikane si Yuri Kim. Prandaj kemi të bëjmë me një proces politik,” deklaroi Malltezi.