Dhunoi bashkëshorten dhe e kërcënoi me thikë në sy të fëmijës, arrestohet 37-vjeçari në Tiranë

Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë arrestuan në flagrancë një 37-vjeçar që ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e kanosi atë me thikë.

Në pranga u vu shtetasi Altin Bardhi nga fshati Pezë Helmës ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 37-vjeçarit u gjet edhe një armë gjahu pa leje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pezë Helmes, një shtetas po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe po e kanoste atë, me mjet prerës, kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta është bërë neutralizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 37 vjeç. Ky shtetas, ditën e djeshme, në banesë, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e ka kanosur atë me mjet prerës, në prezencë të fëmijës së tyre.

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën një armë gjahu që 37-vjeçari e mbante pa leje.

Arma e gjahut dhe mjeti prerës i dyshuar i përdorur për kanosjen u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, bëri me dije policia.

Të Fundit