Rekomandimet e qeverisë, Dumani: Disa prej tyre subjektive dhe të vështira për t’u zbatuar

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, renditi ditën e sotme rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit në vitin 2025. Por drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se pavarësisht se në tërësinë e tyre janë të mirëpritura, disa prej rekomandimeve paraqesin vështirësi për t’u zbatuar nga pikëpamja praktike si pasojë e mënyrës “si janë formuluar apo konceptuar”.

“Që tani konstatoj vështirësi se si do raportoj për përmbushjen e këtyre rekomandimeve”, tha Dumani, i cili u shpreh se në raportimet vjetore institucioni që ai drejton jep një përshkrim edhe se si janë reflektuar përmbushjet e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave.

Dumani sqaroi se rekomandimet e qeverisë nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkretë që justifikojnë nevojën për ndërhyje.

“Kjo mungesë e bazës empirike dhe metodologjisë së qartë i bën rekomandimet të duken subjektive dhe vështirë të matshme, sidomos për një institucion si SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike”, tha ai.

Më tej shtoi se rekomandimet përdorin terma të përgjithshme, si hetime proaktive, përdorim efektiv i të dhënave, forcimi i qasjes strategjike, por “nuk ofrojnë asnjë përkufizim institucional apo kuptim të qartë për to”.

“Kjo krijon pasiguri për zbatimin praktik dhe mund të çojë në interpretim të ndryshëm nga institucionet zbatuese. Për një strukturë si SPAK, terminologjia e paqartë është një pengesë për implementim”, tha Dumani.

Një tjetër rekomandim që ceku Altin Dumani ishte edhe ai për respektimin e mekanizmave ekzistues të kontrollit.

“Një rekomandim tjetër që shikohet, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritetet në luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja, nevojë për respektimin e mekanizmave ekzistues të kontrollit. Rekomandohet forcimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit. SPAK është subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD dhe vetë strukturat e tij. Krijimi i strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti pa analizë të mekanizmave ekzistuese rrezikon të sjellë mbingarkesë burokratike. Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshme, institucione përgjegjëse apo burime konkrete duke rrezikuar të mbeten deklarative dhe jo të zbatueshme”, tha Dumani.

Të Fundit