Topalli nga protesta e opozitës: Procesi zgjedhor i 11 majit ishte i cenuar

Duke folur në protestën e opozitës të organizuar nga Partia Demokratike në lidhje me kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, drejtuesja e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, ngriti akuza për manipulim të procesit zgjedhor dhe shkelje të integritetit të tij.

“Po protestojmë për një realitet që po thuhet publikisht. Unë kam mbuluar diasporën dhe gjej një proces i cili është i cenuar në gjithë integritetin e tij. Për shembull, në Berat 90 për qind e votave kanë qenë për Partinë Socialiste. Nëse dikush mendon se kjo është normale, atëherë pres që nga Greqia të dalin 110 për qind për PS”, deklaroi ajo me ironi.

Topalli theksoi se kanë ndodhur raste kur votuesit e diasporës nuk kanë votuar vetë, por të tjerë kanë votuar në emër të tyre. Sipas saj, në tri javë nga Greqia kanë ardhur 17 mijë zarfa me vota, ndërsa vetëm në gjashtë ditët e fundit janë dërguar 33 mijë të tjerë.

“DHL nuk e zbatoi kontratën në Greqi dhe ia kaloi nënkontraktorëve të tjerë, të cilët i çuan zarfet në lokale bastesh. Si ka mundësi që në tri javë vijnë 17 mijë vota, dhe në pesë ditë 36 mijë zarfa? Bëjeni vetë llogarinë. Kjo është një formë manipulimi e vullnetit të shqiptarëve në Greqi dhe jo vetëm”, shtoi Topalli.

Ajo tha gjithashtu se opozita do të ndjekë rrugën ligjore për këtë çështje, por e konsideroi situatën si një “periudhë post-demokracie”.

Të Fundit