Berisha paralajmëron protesta masive: Do çojmë faktet e masakrës zgjedhore në SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të mërkurë një konferencë për shtyp, ku vijoi me akuzat ndaj qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit. Berisha akuzoi mazhorancën për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve përmes bandave kriminale dhe parave të pista.

Ai njoftoi gjithashtu se opozita do të organizojë një protestë masive më 16 maj, si pjesë e asaj që e quajti “luftë në mbrojtje të votës së shqiptarëve”.

“Ne po përgatitemi për një betejë të madhe. Ftojmë të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 16 majit për të mbrojtur votën e tyre,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, opozita është në zotërim të fakteve dhe dokumenteve të pakundërshtueshme, që do t’i dërgojë në institucionet kryesore ndërkombëtare, përfshirë kancelaritë evropiane, Senatin dhe Kongresin e SHBA.

“Më shumë se kurrë kemi fakte dhe dokumente. Vlerësoj deklaratën paraprake të OSBE-ODIHR, dhe veçanërisht punën e ambasadorit Zannier, i cili, në kushte jo të lehta, dha një vlerësim real të procesit zgjedhor,” u shpreh ai.

Berisha theksoi se opozita do të intensifikojë kontaktet dhe shkëmbimet me partnerët ndërkombëtarë: “Me ODIHR dhe OSBE, me të gjitha kancelaritë evropiane, me Senatin, Kongresin dhe administratën e SHBA, do të kemi një komunikim të gjerë për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë.”

Të Fundit