Berisha refuzon të njohë rezultatin e zgjedhjeve: Më të manipuluarat në histori

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një konferencë për shtyp këtë të martë, ku komentoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Ai refuzoi kategorikisht të pranonte rezultatet e zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si “më të manipuluarat në historinë e pluralizmit në Shqipëri.”

– Advertisement –
Sipas Berishës, blerja e votave, përdorimi i patronazhistëve, ndërhyrja e grupeve kriminale dhe angazhimi i bandave kanë tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve.

Ai denoncoi se “skenat e dhunshme në Vlorë, ku banda e Blendi Xhabajt diktuan vullnetin e qytetarëve”, janë vetëm një shembull i asaj që ndodhi në shumë bashki të tjera të Shqipërisë.

Ai shtoi se këto ngjarje nuk ishin asgjë më shumë se një skemë e zakonshme kriminale që u aplikua në disa qarqe, duke përfshirë Vlorën, Fierin, Mallakastër dhe Elbasanin, ku sipas tij, banditët e grupeve kriminale ndikuan drejtpërdrejt në zgjedhjet e këtyre zonave.

“Zgjedhjet e 11 majit janë zgjedhje të grabitura, të plaçkitura dhe të dhunuara. Asnjëherë më parë, banditët nuk kanë pasur më shumë përfaqësues në parlament sesa këtë herë,” deklaroi Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për blerjen e votave në mënyrë masive.

“Zgjedhjet e 11 Majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 milionë euro gjoba dhe kamata nga viti 2015 deri në vitin 2025, është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit.

Dhjetëra mijëra hektarë kanabis që u dhanë licencat për t’u mbjellë. Çdo bimë kanabis me prodhim fitimi 1 mijë euro, është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë.

Punësimi, punë për votë, u aplikua masivisht në këto zgjedhje.
Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur në strofulla ose rreth qendrës së votimit, ishte një polici terroriste, ndaj zgjedhësve shqiptarë.

Dy drejtuesit më të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar, zëvendës të drejtores, u morën javët e para me të gjithë regjistrat e rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës duke shkelur ligj dhe çdo gjë. Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral”, tha Berisha.

Berisha po ashtu u shpreh për përdorimin masiv të punësimit për vota, duke e cilësuar këtë një formë të keqpërdorimit të qytetarëve dhe një “sistemi kriminal” që përdori patronazhistët për të ushtruar presion mbi zgjedhësit.

“Patronazhistët rreth qendrave të votimit krijuan një atmosferë terrori për zgjedhësit shqiptarë,” përfundoi Berisha.

Të Fundit