Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të hënë deklaratën e tij të parë publike në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndërsa procesi i numërimit të votave vijon dhe janë përpunuar rreth 42% e tyre në rang kombëtar.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se çdo votë kundër regjimit aktual ka një rëndësi të veçantë dhe u bëri apel demokratëve në qendrat e votimit të vijojnë me përkushtim procesin e numërimit.
“Jam këtu për të shprehur mirënjohjen për të gjithë ata komisionerë, vëzhgues dhe numërues që e gdhinë gjatë natës duke numëruar votat e qytetarëve. I bëj thirrje të gjitha strukturave të PD të bëjnë çdo gjë që të mbrohet çdo votë. Me përkushtimin më të madh, sepse çdo votë kundër regjimit meriton nderimin dhe vlerësimin më të madh. Qëllimi im kryesor i paraqitjes para jush është një thirrje për demokratët dhe opozitarët të tregojnë seriozitetin maksimal në vlerësimin e çdo vote dhe të mos kenë asnjë ndikim nga asgjë. Kjo është detyra më e rëndësishme për demokratët sot,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të mbajë një qëndrim të plotë dhe të qartë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor vetëm pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, por la të kuptohet se procesi nuk ka qenë i rregullt, duke e cilësuar si një proces të deformuar nga “partia-shtet”.
“Tani dhe njëherë, Partia Demokratike u ka thënë shqiptarëve dhe botës se çfarë është procesi elektoral në Shqipëri. Mos të ketë kush asnjë iluzion se ato konkluzione kanë qenë politike. Jo, ato kanë qenë të bazuara dhe të certifikuara tashmë nga forumet ndërkombëtare. Le të durojmë për të përfunduar dhe numërimin e votës së fundit, atëherë Partia Demokratike do të bëjë të gjithë vlerësimin e saj.”
Më tej, Berisha përmendi disa prej praktikave që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në barazinë e garës elektorale, duke akuzuar qeverinë se ka përdorur burimet shtetërore për përfitime elektorale.
“Nëse bëhen 760 mijë dhurata për votë, nëse mbillen dhjetëra mijëra hektarë kanabis për votë, nëse punësohen dhjetëra mijëra për votë, nëse ju patë qendrat e votimit të rrethuar nga patronazhistë dhe zyrat ilegale të PS të ngritura pranë qendrave të votimit, nëse patë faljen dy net para të rreth 150 milionë euro gjoba, atëherë emrin zgjedhjeve ua vini vetë. Unë sot nuk jam për këtë këtu sot. Unë u bëj thirrje demokratëve që të numërojnë çdo votë,” përfundoi Berisha.