Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të vijojë me procesin e numërimit të fletëve të votimit, duke lënë për momentin mënjanë zarfat e ardhur nga Greqia.
Ky vendim synon të zhbllokojë procesin pas kontestimeve të Partisë Demokratike dhe pritet që për zarfit nga Greqia të merret një vendimmarrje e veçantë në një moment të dytë.
Vendimmarrje e KQZ
Kur gjatë procesit të vlerësimit të dokumentacionit zgjedhor nga jashtë, GNVJ dhe/ose sipas rastit KANVVJ nuk vlerëson zarfin/zarfet “B” pjesë të këtij dokumentacioni, atëherë ky zarf/zarfet futen në një kuti sikurse kutia e votimit brenda vendit. Kutia mbyllet me vula me kode sigurie, numrat e të cilave shënohen në një procesverbal, orgjinali i të cilit dorëzohet në KQZ rast pas rastit.
Vlerësimi i zarfeve “B” të administruar sipas këtij akti, i nënshtrohet procesit të shqyrtimit të mëtejshëm sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve të dala në bazë e për zbatim të tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij.