Sapo ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar edhe kreu i komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Në një prononcim për mediat ai u shpreh se kushdo që shkel ligjin do të mbahet përgjegjës nga institucionet përkatëse, ndërsa theksoi se edhe qytetarët duhet të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor.
“Mesazhi është i qartë për ata që ende nuk kanë votuar. Ata që janë në idenë që angazhimi i tyre mund të kontribuojë tej votës në proces, do të marrin përgjigje nga institucione përkatëse. Shumë e rëndësishme që jo vetëm politikanë por edhe qytetarët të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor.”- tha ai.
Ai tha se fotografimi i votës nga votuesit do të marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia, teksa theksoi se qytetarët që kryejnë këto lloj shkeljesh mund të ndëshkohen me minimumin 3 vjet burgim.
“Fotografimi i votës do marrë përgjigje nga drejtësia. Minimumi tre vjet burgim për ata që fotografojnë votën. Jo vetëm politikanët por edhe votuesit duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi.
Ata që nuk kanë lidhje me QV, të qëndrojnë larg. Paligjshmëria me votën është dënim me 3 vite burg. Të raportohet për personat që qëndrojnë pranë QV. Kanë mbetur edhe pak orë nga mbyllja e votimit. Partitë politike dhe qytetarët duhet t’i përmbahen ligjit. Kemi pasur disa referime nga Task Forca.”, tha Celibashi.