Trump reagon për foton e IA që e tregon si Papë: Më lini të qetë, gruas time i pëlqeu

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se nuk kishte të bënte fare me një foto të tij të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA) si Papë, duke shtuar se ishte një shaka.

“Dikush më bëri një foto të veshur si Papa dhe e publikoi në internet. Unë nuk e bëra. Nuk kam idenë se nga erdhi. Ndoshta ishte teknologji e inteligjencës artificiale.

Por nuk di asgjë për këtë. E pashë dje. Në fakt, gruaja ime mendoi se ishte e lezetshme. Ishte një shaka”, tha Trump, raportoi CBS News.

Trump theksoi gjithashtu se “katolikët e pëlqyen shumë”, ndërsa kritikoi gazetarët, duke thënë: “Ata nuk e kuptojnë shakanë. Nuk dua të them katolikët, dua të them media e rreme”.

Fotografia, e cila u postua në rrjetet sociale, tregon Trumpin me rrobën papale me gishtin e ngritur.

Trump u tha më parë gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se do të donte të bëhej Papë , ndërsa komentonte vdekjen e Papa Françeskut muajin e kaluar.

“Do të doja të isha Papa. Ky do të ishte opsioni im numër një”, tha Trump, duke shtuar se nuk ka ndonjë preferencë të veçantë dhe duke vënë në dukje se ata kanë një kardinal nga Nju Jorku – Kardinali Tim Dolan, i cili është “shumë i mirë”.

I pyetur pse fotoja u postua në llogarinë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë edhe pse ishte krijuar artificialisht, presidenti u përgjigj: “Më lini të qetë”. “Dikush e bëri për qejf”, shtoi ai.

Reagimi ndaj fotos së gjeneruar nga inteligjenca artificiale iu drejtua shpejt Kardinalit Dolan, i cili tha se “nuk ishte e mirë” dhe shtoi se shpresonte që Trump të mos kishte të bënte fare me të.

Të Fundit