Vijojnë kërkimet për të riun që u zhduk pas rrëshqitjes së dheut, apeli i familjes

Vijojnë për të dytën ditë radhazi kërkimet për Ardit Beshirin, 29 vjeçarin, i cili u zhduk pas shembjes së një masivi dheu në ambientet e një fabrike për përpunimin e kromit në zonën e Qafës së Burrelit. Beshiri ishte duke punuar me eskavator kur ndodhi tragjedia. Rrëshqitja masive e dheut bëri që i riu të zhdukej pa lënë gjurmë, teksa ishte duke punuar me eskavator.

Eskavatori me të cilin po punonte viktima është ndarë në disa pjesë nga forca. Disa komponentë të mjetit janë gjetur nga banorët dhe punëtorët në zonë, por ende nuk ka asnjë gjurmë të trupit të 29-vjeçarit.

Familjarët e të riut i kanë bërë apel institucioneve për intensifikimin e operacionit të kërkimit, duke theksuar se nevojiten pajisje të specializuara. Ata shprehen se nevojiten makineri të posaçme për të gjetur trupin e 29-vjeçarit, pasi disa punonjës të autoriteteve me lopata vetëm nuk mjaftojnë.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka ndaluar drejtuesin teknik të shoqërisë ku ndodhi aksidenti, 44-vjeçarin Ademir Lala, banues në Klos, nën akuzën e shkeljes së rregullave të sigurisë teknike në punë.

Të Fundit