Trump urdhëron rihapjen e burgut famëkeq të Alcatrazit

Donald Trump thotë se po i kërkon qeverisë së tij rihapjen dhe zgjerimin e Alcatrazit, ish-burgut në një ishull pranë brigjeve të Kalifornisë.

Në një mesazh në faqen e tij të Truth Social të dielën, Presidenti Trump tha se “për një kohë shumë të gjatë Amerika është pllakosur nga shkelës të egër, të dhunshëm dhe të përsëritur të krimeve”.

Rihapja e Alcatrazit do të shërbente si një “simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”, tha ai.

Burgu u mbyll në vitin 1963 dhe ishulli Alcatraz aktualisht funksionon si një vend turistik. Ai ndodhet pranë urës Golden Gate të San Franciskos.

“Sot, po i drejtoj Byrosë së Burgjeve, së bashku me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Sigurinë Kombëtare, që të rihapin një ALCATRAZ të zgjeruar dhe të rindërtuar në mënyrë të konsiderueshme”, shkroi Trump.

Burgu do të “strehonte shkelësit më të pamëshirshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”.

Presidenti Trump është përplasur me gjykatat lidhur me politikën e tij për dërgimin e anëtarëve të dyshuar të bandave në një burg në El Salvador.

Në mars, ai dërgoi atje një grup prej më shumë se 200 anëtarësh të dyshuar të bandave venezueliane. Ai ka folur gjithashtu për dërgimin e “kriminelëve vendas” në burgje të huaja.

Alcatraz fillimisht ishte një fortesë mbrojtëse detare dhe u rindërtua në fillim të shekullit të 20-të si një burg ushtarak.

Departamenti i Drejtësisë e mori atë në vitet 1930 dhe filloi të pranonte të dënuar nga sistemi federal i burgjeve.

Ndër të burgosurit e tij më të famshëm ishin gangsterët famëkeq Al Capone, Mickey Cohen dhe George “Mitralioz” Kelly.

Burgu u bë i famshëm edhe nga filmi i vitit 1962, Birdman of Alcatraz, me protagonist Burt Lancaster, që flet për vrasësin e dënuar Robert Stroud, i cili, ndërsa vuante një dënim me burgim të përjetshëm në ishullin e burgut, zhvilloi një interes për zogjtë dhe u bë një ornitolog ekspert.

Ishte gjithashtu vendi i filmit të vitit 1996, The Rock, me protagonistë Sean Connery dhe Nicolas Cage, që flet për një ish-kapiten të SAS dhe kimist të FBI-së që shpëton pengje nga ishulli Alcatraz.

Burgu u mbyll sepse ishte shumë i kushtueshëm për të vazhduar funksionimin e tij, sipas faqes së internetit të Byrosë Federale të Burgjeve.

Ishte pothuajse tre herë më i kushtueshëm për t’u operuar sesa çdo burg tjetër federal, kryesisht për shkak të vendndodhjes së tij në ishull.

Të Fundit