Miliarderi i njohur dhe themeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka zbuluar se ishte i shqetësuar nëse vajza e tij më e vogël, Phoebe Gates, do t’i kërkonte para për të nisur biznesin e saj të parë.
Phoebe Gates, 22 vjeçe, e diplomuar në Universitetin prestigjioz Stanford, ka lançuar së fundmi një aplikacion inovativ për tregti elektronike të quajtur Phia, së bashku me ish-shoqen e saj të dhomës, Sophia Kianni.
Platforma Phia, e cila u bë aktive më 24 prill, synon t’u japë përdoruesve mundësinë për të krahasuar çmimet e produkteve të reja dhe të përdorura nga mijëra faqe shitjesh në kohë reale.
Në një intervistë për The New York Times, Gates, 69 vjeç, pranoi: “Kur më tregoi për idenë, mendova: ‘Wow, shumë njerëz e kanë provuar, dhe ka disa lojtarë të mëdhenj në këtë fushë’. Më pas mendova: ‘Oh, tani do të vijë dhe do të kërkojë para’”.
Miliarderi tha se ishte i shqetësuar se, nëse do e financonte vetë projektin, do të ishte i detyruar të mbante kontroll të rreptë mbi biznesin e vajzës së tij:
“Do të bënim rishikime të rregullta të biznesit, do të më duhej të isha mentor, por ndoshta do të isha tepër i butë me të. Do të më lindnin dyshime nëse ishte e duhura. Fatmirësisht, kjo nuk ndodhi”.
Ndërkohë, nëna e Phoebe-t, Melinda Gates, e inkurajoi vajzën që të sigurojë vetë kapitalin dhe të ecë përpara pa ndihmën financiare të prindërve.
Phoebe e cilësoi nënën e saj si “shtyllën e fortë” të jetës së saj, duke shtuar: “Ajo e pa këtë si një mundësi të vërtetë për të mësuar. Edhe nëse dështoja, do të mësoja diçka nga kjo përvojë”.
Phia nisi me një investim fillestar prej 100,000 dollarësh nga fondi Soma Capital, si dhe një grant prej 250,000 dollarësh nga një program sipërmarrës në Stanford. Më pas, dy themelueset siguruan edhe 500,000 dollarë të tjerë nga investitorë individualë.
Revista Wealth e përshkroi aplikacionin si një mjet të zgjuar për të bërë blerje të informuara: “Phia shfaq në kohë reale çmimet mesatare, në mënyrë që të dish kur ja vlen të blesh një produkt të ri dhe kur është më mirë të zgjedhësh një version të përdorur”.