Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Librazhd për prezantimin e kandidatëve të koalicionit opozitar PD-ASHM, prezantoi disa nga premtimet kryesore të fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit.
Berisha premtoi se në 100 ditët e para të një qeverisjeje të mundshme, pensioni minimal do të rritet në 200 euro, do të vendoset një minimum jetik për shtresat në nevojë, dhe do të shpërndahen karta konsumatore me ulje 20% për produktet ushqimore për qytetarët me të ardhura të ulëta. Ai u zotua për uljen e çmimit të naftës me 40% dhe vendosjen e një kufiri minimal ditor prej 6.3 euro për çdo qytetar.
Për biznesin, Berisha premtoi ulje të tarifave për energjinë, ujin dhe hapësirat publike, rritje të pragut për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatim-fitimin për bizneset e vogla, si dhe rikthimin e taksës së sheshtë 10%.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Librazhdit, banorë të këtij rrethi, përshëndetjet më të përzemërta kudo që ndodheni sot në këtë shesh, në rrethin e Librazhdit, në Shqipëri dhe emigracion. I dashur zoti Tomor Alizoti, udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit, i dashur kryetar i PD për Librazhdin, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj. U sjell përshëndetjet më të përzemërta nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane, partisë më të fuqishme që qeveris sot me 14 kryeministra, drejton Komisionin Europian, Parlamentin Europian, të cilët dje votuan me unanimitet një rezolutë në mbështetje të secilit prej jush, të votës tuaj, të fitores së PD dhe denoncuan Edi Ramën, klikën e tij si armiq të egër të votës së lirë të shqiptarëve.
Pra, ne shkojmë në datën 11 maj në zgjedhje të sigurt në një fitore të thellë, në një fitore me të cilën qytetarët e Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, votojnë për veten e tyre, për familjen e tyre, për të ardhmen e tyre, të ardhmen e Librazhdit dhe gjithë Shqipërisë. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se me programin tonë ne do u kthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe se çdo pensionist, në këtë rreth, në këtë qark, në Shqipëri, brenda 100 ditëve të para nuk do ketë kurrë një pension nën 200 euro.
Do vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh, i cili përmirëson gjendjen e 560 mijë pensionistëve me pensione nën 170 euro. Minimumi jetik do u jepet të gjithë shqiptarëve në ndihmë ekonomike, të gjithë të papunëve, të jjithë studentëve me brusë dhe prindërve me një fëmijë. 100 ditët e para ne nxjerrim shqiptarët nga varfëria e skajshme. Dhe jo vetëm kaq, por çdo shqiptari me rrogë të ulët 500 euro, çdo pensionisti ne i japim kartën e konsumatorit me të cilën ai do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët, çka do të thotë se do marrë në vit 450 euro kompensim.
Në 100 ditët e para, çmimi i naftës do ulet me 40 përqind, nuk do shitet kurrë më shumë se minus/plus 10 përqind të çmimit në Maqedoni dhe Kosovë. Miq, pra ne japim një goditje përfundimtare mjerimit apo varfërisë ekstreme. Nuk do ketë shqiptar që të ketë nën 6.3 euro në ditë. Me programin tonë, Aleanca për Shqipërinë Madhështore do t’i japë biznesit një frymëmarrje të re të fuqishme. Biznesi i vogël do paguajë energjinë me 6 lekë nga 18 që e paguan sot. Do të përgjysmohet tarifat e ujit.
Do pjesëtohet me 5, tarifa e hapësirës publike. Do rriten tavanet në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim fitimin për bizneset e vogla. Për bizneset e tjera vendoset taksa e sheshtë 10 përqind nga 23 përqind. TVSH-ja ulet në 15 përqind nga 20 përqind. Shqipëria do jetë vendi me klimën më të mirë të biznesit. Edhe ato energjinë do e paguajnë 6 lekë nga 18 që paguajnë sot. Të dashur miq, regjimi i Edi Ramës është bërë i famshëm në botë për lidhjet e tij me krimin, për drogën.