Rama nga Berati: Qeveria do paguajë sigurimet për nënat e papuna me mbi 3 fëmijë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të enjte në Dimal të Beratit arritjet e sektorëve më të rëndësishëm.

Ai ka folur mbi disa çështje, duke nisur nga pensionet, taksimi dhe pabarazia gjinore, pika këto të cilat sipas kryeministrit kanë shënuar përmirësim.

“Pensioni mesatar, ishte 111, sot është 300 euro. E rëndësishme është që në Shqipërinë 2030 do të jetë 400 euro pensioni mesatar dhe 200 euro pensioni minimal. Një pikë tjetër është taksimi, një pikë e rëndësishme sepse kemi çliruar nga taksat qoftë punonjësit qoftë bizneset e vogla.

Siç e kemi premtuar kshu do të qëndrojë deri në 2029, nuk do të vëmë asnjë taksë tek biznesi i vogël. Nga heqja e këtyre taksave janë 66 milionë euro që i janë kursyer njerëzve, që deri kur morëm detyrën, këto para i merrte shteti.

Pabarazia gjinore në Shqipëri, ishim vendi i 83-të në botë për pabarazi, sot jemi në vendin e 23-të, marrë parasysh kjo nga klasifikimi i OKB-së”, tha Rama.

Gjatë fjalimit të tij, kryeminstri është ndalur gjithashtu në disa shifra që tregojnë përmirësimin e pagave, uljen e papunësisë si edhe rritjen e prodhimit të përgjithshëm bruto.

“PBB është e gjithë vlera që një vend krijon dhe kjo vlerë kur ne morëm detyrën ishte më pak se 10 mld euro ndërsa sot ka kaluar 25 mld eurot. Ajo që do të bëjmë është që në Shqipërinë 2030 këtë PBB ta çojmë në 35 mld euro. Kjo është një tjetër e dhënë për të parë rritjen e këtij prodhimi në kontekstin e rajonit. Shqipëria është në vendin e parë në rajon me rritjen e prodhimit të përgjithshëm në dekadën e fundit.  Borxhin publik e kemi ulur në një normale prej 54% dhe projeksioni në Shqipërinë 2030, do ta çojmë në 50 %, me një minus të lehtë nën 50 %. 25 % e njerëzve, subjekteve që kishin kredi nëpër banka nuk i shlyenin dot më, momenti ku ndizet drita e kuqe dhe sistemi banka rrezikon të bjerë”, tha ai.

Rama ka theksuar se qeveria ka ndërmarrë një nismë të re, lidhur me nënat e papuna të cilat kanë tre ose më shumë fëmijë, një ndihmesë kjo që të mos mbeten pa pension.

“Për nënat e papuna me tre ose më shumë fëmijë, kemi marrë një nismë, që qeveria t’ua paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në mënyrë që pavarësisht se nuk janë në punë për faktin se kanë 3 ose më shumë fëmijë, të mos mbeten pa pension.

Janë 25 milionë euro çdo vit, që qeveria paguan për 9200 nëna të papuna që kanë 3 ose më shumë fëmijë”, shton Edi Rama.

Të Fundit