Ngacmoi seksualisht dy nxënëset e mitura, shkarkohet mësuesi 55-vjeçar

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) ka marrë masën e shkarkimit nga detyra për mësuesin Fatmir Hoxha, i cili jepte mësim në shkollën “Sali Halili” në Rrajcë të Prenjasit. Vendimi vjen pas arrestimit të tij nga policia, nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj dy nxënëseve të mitura, të moshës 13 dhe 14 vjeç.

Hoxha u ndalua në aeroportin e Rinasit, në momentin që tentonte të largohej nga vendi. Mësuesi tentoi të arratisej pasi mësoi se ndaj tij ishin bërë denoncime në policinga familjarët e vajzave të ngacmuara. Vlen të theksohet se komuniteti lokal kishte kërkuar prej kohësh largimin e tij nga detyra e mësuesit.

Sipas AKAP, pas marrjes së informacionit, janë kryer menjëherë verifikime nga drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me punonjësin e shërbimit psiko-social dhe oficerin e sigurisë. Rasti është tashmë në hetim nga Policia e Shtetit.

Njoftimi i plotë i AKAP:

“Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar njofton se, pas informacioneve të marra mbi një rast të dyshuar ngacmimi ndaj nxënëseve në shkollën e bashkuar “Sali Halili” në Rrajcë, është ndërmarrë menjëherë masa disiplinore e shkarkimit nga detyra për mësuesin Fatmir Hoxha.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me punonjësen e shërbimit psiko-social dhe oficerin e sigurisë, zhvilloi verifikimet përkatëse.
Rasti është referuar zyrtarisht pranë Policisë së Shtetit dhe është në ndjekje për hetime të mëtejshme nga organet kompetente.

AKAP është e angazhuar maksimalisht me institucionet arsimore për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e çdo fëmije dhe fuqizimin e mekanizmave parandalues në bashkëpunim me shërbimet psiko-sociale, oficerin e sigurisë dhe stafet arsimore”.

Të Fundit