Shtohen të huajt që vizitojnë Shqipërinë në muajin shkurt, rritje me 30%

Turizmi në vend vijon të tregojë shifra të larta edhe për muajin shkurt 2025. Të dhënat e reja nga INSTAT flasin për një rritje me 29.96%, duke e çuar në 118,487 numrin e vizitorëve, si rezidentë, ashtu edhe jo rezidentë. Vizitorët rezidentë u rritën me 32.2%, ndërsa ata jo rezidentë me 26.4%. Sa i përket netëve të qëndrimit, të dhënat tregojnë një rritje totale prej 34.2%.

Preferencë e turistëve kanë zënë zonat jo-bregdetare dhe hotelet në afërsi të tyre, të cilat kanë shënuar një rritje prej 29%. Statistikat tregojnë se rajoni qendror ka pritur numrin më të madh të turistëve, me 73,634 vizitorë gjatë muajit shkurt. Pas tij renditet rajoni jugor me 23,755 vizitorë, ndërsa rajoni verior ka arritur në 21,098 vizitorë gjatë këtij muaji.

Italianët kryesojnë me 22% të vizitorëve, pasuar nga Kosova me 16%, Gjermania me 7%, si dhe Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, që kontribuuan respektivisht me 4% dhe 6% të turistëve në këtë periudhë.

Rritje kanë pasur dhe turistët nga vendet europiane duke përberë 45% të totalit të turistëve të huaj. INSTAT njofton gjithashtu se norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 16.5%, duke shënuar një rënie të lehtë nga 16.7% në shkurt 2024.

Të Fundit