Aksident tragjik në Tiranë/ Makina përplas dy këmbësore, humb jetën njëra prej tyre

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne pranë mbikalimit të Paskuqanit, në Unazën e Madhe të kryeqytetit, ku për pasojë një grua humbi jetën dhe një tjetër mbeti e plagosur.

Sipas informacionit zyrtar nga Policia e Tiranës, rreth orës 09:35, shtetasi R. Q., 35 vjeç, ka përplasur me automjetin e tij dy kalimtare, shtetaset L. S., rreth 72 vjeçe, dhe H. M., rreth 66 vjeçe, të cilat dyshohet se po kalonin trafikndarësen në atë moment.

Si pasojë e përplasjes, shtetasja L. S. humbi jetën, ndërsa shtetasja H. M. mbeti e plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, ndërsa në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Të Fundit