Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për Bloomberg, ku ka folur për ndikimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe për sfidat që po kalon Bashkimi Evropian.
Në intervistën e tij, Rama theksoi se, megjithëse Trump ka qenë një figurë kontraverse, ai ka pasur një ndikim të dukshëm në politikën globale, duke ofruar mundësi për shumë shtete. Sipas tij, politika e Trump ka nxitur një reagim nga shtetet evropiane, të cilat, janë bërë shumë të mbyllura në vetvete, duke iu përkushtuar gjithnjë e më shumë interesave të brendshme.
Rama e përshkroi Trump si një faktor që ka detyruar Europën të veprojë dhe të riorientohet, duke thënë se, megjithëse shumë e kritikuan politikën e tij të ashpër, ajo ka krijuar mundësi për shtetet e tjera, përfshirë Shqipërinë. Ai shtoi se Bashkimi Evropian ka humbur një pjesë të ndikimit të tij global dhe se është e nevojshme që të rifitojë dinamizmin.
“Kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi atë për ta bërë Amerikën të madhe përsëri, ai tregon vetëm gjysmën e historisë. Gjysma tjetër është se Ai e shpëtoi Trump gjithashtu për ta bërë Evropën të zgjohet dhe të veprojë së bashku”, tha Rama.
Përsa i përket marrëdhënieve të tij me administratën Trump, Rama theksoi se angazhimi i tij me Jared Kushner ka qenë gjithashtu pjesë e një bashkëpunimi të natyrshëm, pa pasur ndonjë qëllim të fshehur për të marrë mbështetje politike për Shqipërinë. Ai sqaroi se vizita e parë e Kushner në Shqipëri ka ndodhur në vitin 2021, pas largimit të Trump nga Shtëpia e Bardhë, dhe ka qenë një mundësi për të diskutuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Rama e cilësoi marrëdhënien e tij me Kushner si personale.
“Jam i privilegjuar të flas me Kushner dhe do të isha shumë i lumtur ta quaja mik. Nuk e di nëse ai më quan mik, por unë e quaj mik”, shtoi Rama.