Rama: Do rrisim financimin për 16 mijë fëmijë me aftësi të veçanta

Këtë të mërkurë po zhvillohet në Tiranë Konferenca Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”. Në konferencë marrin pjesë përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, ai tha se konferenca shërben si një platformë e rëndësishme për forcimin e politikave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve në rajon.

“Nëse shikojmë ambicien që ka programi i garancisë europiane për fëmijët, duke iu referuar edhe shifrave, është një pasqyrë kuptimplotë për domosdoshmërinë e thellimit të politikbërjes në funksion të fëmijëve dhe për rritjen e ndërveprimit mes të gjithë aktorëve shoqëror dhe institucional, për të siguruar aksesin e barabartë në arsimin cilësor për të siguruar ushqimin e shëndetshëm, për të përmirësuar aksesin në shërbimin shëndetësor, për të siguruar strehim, për të siguruar mbrojtjen e dedikuar për fëmijët dhe në tërësi për të rritur ndërgjegjësimin shoqëror për të drejtat e fëmijëve. Të gjitha këto janë pika kyçe dhe në funksion të këtyre, Bashkimi Europian ka përcaktuar edhe një financim të veçantë, një financim që i ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e përcaktuara dhe për të reduktuar varfërinë e fëmijëve dhe nga ana tjetër për ngushtimin e hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën europiane.

Një nga pikat ky synojmë hop sasior dhe cilësor dhe të ndërveprimit me partnerët e tjerë, është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, që janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por të cilët në këtë fazë meritojnë një rritje të mbështetjes nga ana jonë. Një mbështetje jo vetëm financiare por edhe institucionale. Një rritje mbështetjeje e cila nuk është thjesht financiare por edhe institucionale. Për këtë ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit po punojnë që të rrisin numrin e mësuesve specialë, sikundër dje kemi hapur një kapitull të ri në sistemin tonë të shërbimit shëndetësor me hapjen e klasave të para për fëmijët në spital, klasa mësimore dhe arti, që iu shërbejnë fëmijëve që të mos humbasin kontaktin me mësimin, por iu shërbejnë përmes një kurrikule speciale që të energjizohen me besim dhe bindjen se do t’ja dalin në betejën e sëmundjeve të tyre”,-tha Rama.

Të Fundit