“Mos bëni punë të pandershme”, Rama paralajmëron socialistët: Do të shkoni aty ku e keni vendin nëse devijoni nga rruga

Kryeministri i vendit, gjatë një takimi me kandidatët socialistë për deputet në qarkun e Shkodrës, ka paralajmëruar të vetët që të mos devijojnë nga rruga dhe të bëjnë punë të pandershme. Kjo është vija e kuqe tha shefi i qeverisë, dhe kush devijon nga rruga dhe nuk punon për qëllimin e përbashkët të PS-së, do të shkojë aty ku e ka vendin.

Ai vlerësoi punën e drejtësisë dhe të SPAK dhe tha se pavarësisht “lajthitjeve”, është proces i domosdoshëm që PS e mbështet deri në fund.

Edi Rama: Ne dorëzuam shpatën për herë të parë drejtësisë. Tani ne duhet të ulim kokën për këtë? Përkundrazi përtej të gjitha lajthitjeve që mund të ketë ky proces, në thelb është proces historik, i domosdoshëm që do e mbështesim deri në fund.

Ata që s’do të kenë asnjëherë në dorë e shikojnë SPAK si të vetmen shpresë që të kapin ndonjë gjë, sepse ndryshe nuk kanë se si të luftojnë fare me ne. E shohin si aleat për të bërë politikë opozitare, është normale, puna e tyre.

Bufi i kënetës bashkë me kënetën thonë do ta shkrijmë më 12 Maj. Ne jemi garantët për këtë dhe jemi shumë krenar, e kemi të qartë vijën: Kush është këtu për qëllimin e përbashkët është i nderuar, kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe përdor fuqinë që i jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme mbas shpinës tonë të shkojë atje ku ka vendin. Është e thjeshtë, s’ka asnjë gjë për të pasur dyshime dhe dilema.

Të Fundit