Sot hapet Tuneli i Murrizit, duke e bërë në këtë mënyrë të aksesueshme të gjithë Rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pak orë para hapjes e cilësoi këtë tunel një vepër komplekse dhe sfiduese.
“Vite, muaj punë e palodhur nga të gjithë skuadrat për një vepër sfiduese infrastrukturore, e cila padyshim mori kohë, por tashmë është gati dhe nuk ka kënaqësi më të madhe se dita finale.
Si kjo dita sot, të gjithë së bashku do të festojmë veprën infrastrukturore më të madhe të verilindjes shqiptare, Rrugën e Arbrit të përfunduar, rrugën e të gjithë shqiptarëve dhe veçanërisht të Dibrës sime,” u shpreh ministrja Balluku me një video të rastit të postuar në rrjetet sociale.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje.
Në total, Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi 8,5 km. Me gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat përreth, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore.