Gjyqtari i GJKKO, Erjon Bani, i pranishëm në tryezën për Demokracinë dhe Qeverisjen theksoi angazhimin e institucioneve të drejtësisë për të ofruar shërbim me cilësi të lartë, duke e quajtur drejtësinë një shërbim për qytetarët. Më tej, gjyqtari shtoi se për të arritur objektivat, edhe pse janë me gjysmën e kapaciteteve të gjyqtarëve, punojnë jashtë orarit.
Bani: Janë pasqyruar me objektivitet arritjet e GJKKO. Ju bëj me dije që drejtësia është një shërbim. GJKKO është e hapur që këtë shërbim ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nga 2020-2024 kemi mbi 1400 vendime që janë shtuar. Jemi pothuajse me gjysmën e kapaciteteve të gjyqtarëve. Produktiviteti i GJKKO-së është mbi 99 përqind. Cilësia e çështjeve është e lartë. Nuk kemi as ndihmës ligjorë dhe gjyqtarët për të arritur objektivat, duhet të punojnë shtatë ditë, edhe jashtë orarit zyrtar.
Ai tha se institucioni eshte transparet, duke publikuar të gjitha vendimet që marrin.
Bani: Kushdo mund të shkojë në gjykata.gov.al dhe i ka të gjitha vendimet online, në shërbim të transparencës. Falënderojmë edhe partnerët tanë për mbështetjen që na kanë dhënë.