U denoncuan nga “Stop”, shpallet në kërkimi çifti që përzienin produkte të dëmshme dhe i shisnin si vaj ulliri

Pas kallëzimit të emisionit investigativ “Stop” për një rast të mashtrimit me vajin e ullirit, uniformat blu kanë ndërhyrë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore përgjegjësit për këtë rast.

Në vijim janë kryer kontrolle në 2 magazina në Shkodër, në pronësi të 40-vjeçares me iniciale J. M., e cila iu kishte dhënë me qira çiftit të bashkëshortëve, 50-vjeçarit me iniciale E.B. dhe 43-vjeçares me iniciale V.B., banues në Dimal.

Në këto ambiente janë gjetur 300 litra përzierje lëndësh të panjohura dhe të dëmshme, të cilat shiteshin në qytetin e Shkodrës, nëpërmjet mashtrimit si vaj ulliri.

Për këtë rast, u shpallën në kërkim çifti i bashkëshortëve, për kapjen e të cilëve vijojnë kontrollet. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 40-vjeçaren, pronare të magazinës.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon gazetarët e emisionit investigativ “Stop”, për referimin dhe bashkëpunimin në lidhje me këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Ushtrimi i aktivitetit të palicencuar ose i paregjistruar në organet tatimore”.

Të Fundit