Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka folur për herë të parë në lidhje me mbledhjen e simpatizantëve të Veliajt përballë ambienteve të SPAK, në momentin kur mbahej seanca gjyqësore për masën e sigurisë nga GJKKO.
Hoxha tha se policia nuk ishte prezente në ambientet e SPAK, pasi nuk ishte lajmëruar për mbajtjen e një proteste.
Ai theksoi se njerëzit që u mblodhën në mbështetje të kryebashkiakut nuk ishin protestues, por simpatizantë të Veliajt.
“Në kushtet e një mase sigurie, Policia e Shtetit merr masat për të siguruar SPAK, e ka me detyrë. Aty ndodhen edhe punonjësit e Gardës, të cilët janë në krye të detyrës. Ata patën një vështirësi dje për shkak të grumbullimit të papritur të personave, të cilët ishin simpatizantë dhe jo protestues. Protestuesit e mëparshëm kanë qenë të lajmëruar”, tha ministri Hoxha.
Ai shtoi se në protesta të tjera të mbajtura përpara SPAK, si në rastet e seancave të kryedemokratit Sali Berisha, ka pasur prezencë policore, pasi Policia e Shtetit ka qenë e lajmëruar më herët.
“Kur shkon Berisha, njofton, ndaj ka edhe polici”, tha Hoxha ndër të tjera.