Falsifikonin pasaporta dhe ua shisnin njerëzve që donin të largoheshin ilegalisht nga vendi, 6 të arrestuar nga Shqipëria dhe Kosova

Një operacion i gjerë policor ka çuar në shkatërrimin e një grupi të strukturuar kriminal, i cili përfshinte shtetas nga Shqipëria dhe Kosova, të dyshuar për falsifikim dokumentesh me qëllim shitjen e tyre.

Operacioni u realizua nga Seksioni kundër Krimeve Ekonomike Tiranë dhe Njësia e Përbashkët e Investigimit me ShBA-në, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Gjatë operacionit të koduar “Njësia”, u arrestuan: Kushtrim Doksani, Kujtim Gilani, Getoar Luzha. Si dhe u ndaluan shtetasit Kujtim Duka, Leonard Basha dhe Erina Doksani, të gjithë banues në Tiranë.

Grupi, sipas hetimeve, falsifikonte dokumente të ndryshme me qëllim shitjen e tyre për individët që dëshironin të udhëtonin ilegalisht në shtetet që kërkojnë viza.

Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan 15 dokumente të dyshuara false, përfshirë pasaporta dhe karta identiteti të shtetasve të huaj, si dhe 7 celularë dhe 1 motomjet.

Dokumentet e falsifikuara përfshijnë:

3 pasaporta dhe 3 karta identiteti amerikane

2 pasaporta, 2 karta identiteti dhe 1 leje drejtimi italiane

1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi angleze

1 leje drejtimi rumune

1 kartë identiteti shqiptare

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Të Fundit