Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq nëntë persona, përfshirë tetë punonjës të policisë kufitare në Rinas dhe pronarin e një agjencie udhëtimi, për përfshirje në një skemë korrupsioni që lejonte kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të BE-së.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit aktiv”, “Korrupsionit pasiv” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa hetimet kanë zbuluar një mekanizëm të mirëorganizuar që përfshinte ryshfete në këmbim të lejimit të kalimit kufitar të personave të cilëve u ishte ndaluar udhëtimi.
Hetimet u nisën pas arrestimit të shtetasit E.S., pronar i agjencisë “Bus Albania”, i cili ishte ndaluar më parë për posedim të lëndëve narkotike. Nga analiza e të dhënave në telefonin e tij, u zbuluan biseda me punonjës të policisë kufitare që përfshinin kërkesa për verifikime në sistemin TIMS dhe udhëzime mbi mënyrat e kalimit të paligjshëm.
Sipas Prokurorisë, E.S. siguronte pasagjerë që kishin ndalesa ligjore për udhëtimin dhe, në këmbim të pagesave monetare që varionin nga 50 deri në 500 euro, organizonte kalimin e tyre përmes aeroportit të Rinasit. Për këtë qëllim, ai bashkëpunonte me punonjësin e policisë kufitare B.T., i cili jo vetëm orientonte pasagjerët drejt kabinave të kontrollit të sigurta, por edhe vendoste vulat fiktive në pasaporta për të shmangur kthimin nga vendet e BE-së.
Kur ai nuk ishte në detyrë, pasagjerët kaloheshin për përpunim nga kolegët e tij, të cilët, sipas hetimeve, ishin të përfshirë në të njëjtën skemë.
Gjatë periudhës Prill 2023 – Mars 2024, vetëm punonjësi B.T. ka lejuar kalimin e 55 shtetasve me ndalesa për hyrje në zonën Schengen dhe 10 të miturve pa prokurë prindërore. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe shtatë punonjës të tjerë, të cilët kanë ndihmuar në kalimin e paligjshëm të shtetasve të tjerë.
Lista e të Pandehurve dhe Akuzat
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq personat e mëposhtëm:
E.S., pronar i “Bus Albania”, i akuzuar për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas nenit 244/1 të Kodit Penal.
B.T., punonjës policie në Komisariatin e Policisë Kufitare në Rinas, i akuzuar për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”, sipas neneve 259/1 dhe 248 të Kodit Penal.
S.Xh., E.M., A.D., Y.P., R.Sh., E.A., A.H., të gjithë me detyrë ndihmës specialistë dhe kontrollorë në Policinë Kufitare, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal.