Tetë vjet pas inaugurimit të tij të parë, Donald Trump pritet të marrë sot detyrën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, pas një ceremonie spektakolare.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët, theksoi sërish se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit 2024 ishte më e rëndësishmja pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai shtoi gjithashtu se do të kërkojë nga administrata e re amerikane, heqjen e “non grates”. Sipas tij, vendimi i Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken që i sanksionoi hyrjen në SHBA, ishte një “grusht shteti” ndaj opozitës shqiptare.
Sali Berisha: Dalim tek rasti im. Natyrisht unë gjer sot, kam patur një vendim që nuk bëj lobim, nuk kërkoj që të heqin vendimin se i kam hedhur në gjyq, tani padiskutim do të kërkoj sipas rregullave që kanë, të shqyrtohet një vendim që ka në bazë, lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Kaq.
Do marr iniciativë për të kërkuar nga administrata e re sipas rregullave që ekzistojnë që ky vendim strikt anti-opozitë, ky grusht shteti brenda shtetit, ndaj forcës politike opozitare të Shqipërisë, të marrë fund. Sigurisht do të kërkoj.