Mjeku Agron Lala, shefi i Urgjencës në Spitalin e Kurbinit, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim detyre pas denoncimit në emisionin “Stop”.
Policia thotë se nga materialet filmike të denoncuara në emisionin investigativ “Stop” dyshohet se si pasojë e mosveprimit në kohë dhe sipas protokolleve spitalore të 59-vjeçarit, ka humbur jetën në spital, pacienti Fatjon Lami, 38 vjeç.
“Në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po hetohet për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat dhe përgjegjësitë mbi këtë rast”, njoftoi policia e Lezhës.
Rastin e rëndë në Laç, e denoncoi në “Stop”, Feriz Lami, babai i viktimës. Ai tha se në korrikun e vitit të kaluar, i biri humbi jetën pasi u ndje keq teksa vadiste misrin.
I riu shfaqi probleme shëndetësore, që tani i atribuohen një infeksioni të minjve. Sipas familjarëve, ai u pranua së paku tre herë nga Urgjenca e Spitalit të Kurbinit, ku kreu disa trajtime pa asnjë ekzaminim mjekësor.
Më pas u dërgua në Infektivin e Tiranës me vonesë në gjendje kome, ku fatkeqësisht humbi jetën.
Ferizi tha se të birit i bënë vetëm serume dhe temperatura nuk i binte. Ndërkohë një tjetër banor i zonës, që u kurua në kohë sot është në jetë.
Për rastin vetë Agron Lala, shefi i Urgjencës në Laç pranoi se është neglizhuar.