Pesë të rinjve të cilët ndodhen në kërkim për mbylljen në banesë të vajzës 21-vjeçare në Astir, e cila alarmoi policinë, u është shtuar edhe një tjetër akuzë. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se ata akuzohen dhe për prodhim dhe shitje narkotikësh. Me këtë akuzë shtesë të rinjtë do të përballen me drejtësinë pasi shoqet e 21-vjeçares i thanë policisë së kanë shkuar me dëshirë në banesë, pasi shoqja e tyre i thirri për të festuar me djemtë dhe të konsumojnë kokainë.
Akuzat e tjera për të cilat ata akuzohen janë armëmbajtja pa leje për shkak të dy pistoletave të gjetura në shtëpi, heqje e paligjshme e lirisë pasi izoluan vajzën në apartament dhe falsifikim dokumentesh. Kjo e fundit për shkak se njëri prej të rinjve mbante me vete dokumente false.
Mes personave të shpallur në kërkim është dhe i dashuri i vajzës që telefonoi policinë për ndihmë. Ai është Joni Sadikaj, 26 vjeç, nga Tepelena, i cili së bashku me 4 shokët e tij nga Tirana dhe Vlora kanë kaluar mbrëmjen nën shoqërinë e 3 vajzave në 2 apartamentet që kishte marrë me qira ditore.
Rasti i pazakontë ndodhi rreth orës 13:30 të së enjtes. Menjëherë shërbimet e policisë të ndihmuar dhe nga forcat speciale RENEA shkuan në zonë, ku nisën negociatat për të hapur derën. Pretendime për dhunë dhe rrëmbim patën edhe prindërit e vajzës të cilët bashkëpunuan me policinë. Forcat RENEA zbritën nga tarraca e pallatit dhe hynë në ballkonin e banesës në katin e tetë, pasi patën dyshime se vajza mund të ndërmerrte ndonjë akt ekstrem. Pas marrjes në pyetje të vajzës, u zbuluan armët, dozat e kokainës dhe jeleku antiplumb në apartamentin tjetër.