Një punonjëse e shpërndarjes së picave, e mërzitur nga bakshishi i vogël, dyshohet se goditi në mënyrë të përsëritur një grua në një motel në Florida, thanë autoritetet amerikane të mërkurën.
Brianna Alvelo, 22 vjeç, kishte dorëzuar picën në në Motelin Riviera në Kissimmee, që ndodhet në jug të Orlandos, tha Zyra e Sherifit të Qarkut Osceola. Viktima pagoi për porosinë prej 33,10 dollarë dhe i dha Alvelo një bakshish prej 2 dollarësh, sipas dokumenteve të gjykatës.
Kur ia përshkroi incidentin hetuesve, viktima tha se punonjësja “delivery” rrudhi vetullat dhe u largua pa thënë asgjë pasi mori bakshishin.
Por më vonë, Alvelo u kthye e armatosur me një thikë xhepi dhe me një të dyshuar mashkull të panjohur, i cili ishte i armatosur me armë, sipas dokumenteve të gjykatës. Alvelo dhe personi tjetër u futën me forcë në dhomën ku ndodhej viktima, i dashuri dhe vajza e saj 5-vjeçare.
Mashkulli i panjohur dyshohet se ka urdhëruar të dashurin e viktimës të hyjë në banjë dhe e ka mbajtur aty nën kërcënimin e armës.
Ndërsa ata ishin në banjë, Alvelo dyshohet se e goditi viktimën 14 herë me thikë. Viktima kishte plagë me thikë në kraharor, krahë, këmbë dhe bark dhe u dërgua në spitalin lokal, ku iu nënshtrua një operacioni për çarje të mushkërive. Ndërsa ishte aty, viktima mësoi se ishte shtatzënë disa javëshe, thuhet në dokumentet e gjykatës. Ajo aktualisht është në gjendje të qëndrueshme.