275 mijë familje në nevojë pritet të marrin shpërblim 15 mijë lekë në këtë fundvit. Qeveria ka miratuar fondin, ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu tha se do të ndihmohen fëmijët pa prindër, para dhe tetraplegjikët, personat që nuk shikojnë dhe kujdestarët e tyre. Zëvendësministrja për çështjet sociale, Denada Seferi tha se shpërndarja e fondeve do të bëhet brenda këtij muaji. Ajo tha se këtë vit, janë përfshirë në skemën e shpërblimit, edhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.
“Nga ky shpërblim, ashtu si vitet e tjera, do të japim për të gjitha kategoritë për personat me aftësi të kufizuara. Do të përfitojnë për herë të parë të gjithë kujdestarët e këtyre personave, jemi munduar që të kemi përfshirje më të gjerë. Kategoria tjetër janë fëmijët jashtë kujdesit prindëror, dhe të gjitha familjet e skemës së ndihmës ekonomike. Shpërndarja do të bëhet përnjëherë në bazë të procedurave. Ka kaluar në institucionet tona të varësisë, që do të bëjnë transferimin në njësitë e qeverisjes vendore. Do të nisim brenda këtij viti shpërndarjen. Këtë herë kemi mbajtur të njëjtin shpërblim 15 mijë lekë të reja për këto kategori.”, u shpreh Seferi.
Ajo shtoi se shpërndarja më e madhe do të jetë në qarqet Elbasan, Dibër, Kukës dhe Korçë dhe do të bëhet nëpërmjet postës dhe bankës. Ajo gjithashtu shtoi se synojnë që ta kthejnë në një profesion asistentin personal dhe familjet kujdestare.
“Jemi duke vlerësuar asistentin personal për personat me aftësi të kufizuara. Ta kthejmë në profesion, që të kenë pagesa më të larta. Të kemi asistent personal që të mundësojnë profesionin e tyre, të trajtohen dhe të japin ndihmesën familjes.”, shtoi Seferi.