“Jemi në stadin e fundit të betejës tonë”, Berisha: Nuk flas për ‘lugë të artë’, por pasuritë kombëtare do t’i kthejmë tek qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se ‘jemi në stadin e fundit të betejës tonë’. Gjatë një fjalimi në pritjen me anëtaret e Lidhjes Demokratike të Gruas, Berisha u shpreh se qeveria e drejtuar nga PD do t’i kthejë buxhetin, të ardhurat dhe pasuritë kombëtare tek qytetarët.

“Nuk flas unë as për lugë të artë as për kohë të artë, por ne flasim, se ne buxhetin, të ardhurat dhe pasuritë kombëtare do ti kthejmë tek qytetarët. Ne kemi hartuar një paketë që do plotësohet. Askush të mos mendoje se premtimi ynë 200 euro si minimum jetik, rroga minimale 500 euro, rroga mesatare 1200 euro, se karta e konsumatorit për ti kthyer pensionistëve tvsh kur marrin mallra ushqimore, etj, askush të mos mendojë se këto janë vështirë për tu realizuar. Jo. Këto premtime kanë edhe rezervën prapa. Kanë rezervën sepse do të realizojmë në tre muajt e parë”, tha Berisha.

Berisha tha më tej se “tani jemi në stadin e fundit të betejës tonë. Dhe beteja juaj, përkushtimi juaj, angazhimi juaj në këtë stad është vendimtar për fitoren e demokracisë dhe rrëzimin e narkodiktaturës me votën e shqiptarëve”.

Sali Berisha premtoi se do të bëjnë gjithçka që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet, ndërsa theksoi se “nuk do ndërtojmë rrugën me çmimin e 10fishtë që ndërton Kroacia”.

“Nuk do ndërtojmë kurrë shkolla me çmimin e 10fishtë që ndërton BE. Nuk do ndajmë kurrë 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë. Pra, çdo premtim i yni dhe të tjerat që do bëjmë, që i kemi në përpunim, për fermerët, për të rinjtë, do jenë realitet i padiskutueshëm. Mbi të gjitha ne do rikthejmë ligjin në këtë vend. Do rikthejmë sigurinë për qytetarin”, tha nder te tjera Berisha.

Reagimi:

Ne vendosëm standardin evropian në lejet e lindjes. Vendosëm standardin ndër më të mirët që ekziston.

Por nga ana tjetër, nga viti 2009 deri në vitin 2013, numri i popullatës rritej nga viti në vit. Fëmijët qëndronin në Shqipëri, nuk largoheshin nga vatrat e tyre.

Programi ynë nuk realizoi të gjithë objektivat, por unë u garantoj se programi i ardhshëm do të parashikojë objektiva të tjera në këtë barazi.

Do parashikojë mbrojtje të hekurt të grave dhe vajzave nga dhuna.

Do parashikojë ndëshkimet më të rënda ndaj atyre që guxojnë të cenojnë dinjitetin e tyre.

Do parashikojë mbrojtje dhe kujdes të veçantë për nënat kryefamiljare, të cilat në shoqërinë tonë sot ndoshta janë më të shumta se kudo tjetër për kompleksitetin e arsyeve.

Do bëjmë gjithçka që talenti, aftësitë e tyre të shpalosen në interesin më të mirë të tyre në radhë të parë, të shoqërisë dhe demokracisë në këtë vend.

Qëndresa juaj ka qenë epike dhe me këtë qëndresë ju ia dolët që PD të ringrihet përsëri si forca politike më e fuqishme.

Ju nuk u lodhët kurrë, nuk u tërhoqët kurrë në betejën tuaj për të mbrojtur kauza të drejta.

Por tani jemi në stadin e fundit të betejës tonë.

Dhe beteja juaj, përkushtimi juaj, angazhimi juaj në këtë stad është vendimtar për fitoren e demokracisë dhe rrëzimin e narkodiktaturës me votën e shqiptarëve.

Unë dua t’u rrëfej ju se meqenëse rrethohet nga një numër ministresh, Edi Rama thotë se me gratë unë e kam të zgjidhur problemin e votës. Ndërsa të rinjtë i mohon sepse e di se me arrogancën e tij, të rinjtë pasivisht nuk e honepsin atë në asnjë mënyrë.

Por unë kam besim të madh tek ju se me përkushtimin tuaj të madh, me angazhimin tuaj, me integritetin tuaj, ju do realizoni përpjekjen më të suksesshme elektorale në 32 vite.

Është e një rëndësie vendimtare dhe dua t’u informoj se në mënyrë të përsëritur është e faktuar se fuqia elektorale e grave është shumë më e madhe se fuqia elektorale e burrave.

Se gratë janë shumë më bindëse në fuqinë e tyre elektorale, përkushtimin e tyre elektoral se sa burrat.

Ua them këto për të kuptuar se çfarë rëndësie vendimtare ka vazhdimi nga ana e juaj e betejës, para së gjithash tek çdo vajzë, tek çdo grua shqiptare kudo që ndodhet.

Dhe ju trokisni në çdo zemër të çdo zonje, të çdo zonjushe me një program, i cili do t’u japë përgjigjen më të shpejtë dhe më të vendosur problemeve të mprehta me të cilat një nënë, një gjyshe, një motër përballet çdo ditë.

Çelësi i këtij qëndrimi është përmbysja e shpërndarjes së të ardhurave të buxhetit dhe të ardhurave kombëtare.

Ne do i kthejmë ato tek qytetarët.

Nuk flas unë as për lugë të artë, as për kohë të artë.

Por unë flas, dhe ne flasim se ne, buxhetin, të ardhurat dhe pasuritë kombëtare do i kthejmë tek qytetarët.

Ne kemi hartuar një paketë, e cila do plotësohet dhe askush të mos mendojë se premtimi ynë 200 euro si minimum jetik, se rroga minimale 500 euro, se rroga mesatare 1200 euro, se karta e konsumatorit për t’i rikthyer pensionistëve dhe rrogëulëtëve të gjithë TVSH-në që paguajnë në dyqane, askush të mos mendojë se këto janë vështirësisht të realizueshme.

Jo, u them unë këtu, këto premtime kanë rezervën mbrapa.

Pse kanë rezervën? Sepse duhet t’i realizojmë, nuk mund të ketë koment.

Ne do i vendosim ato tre muajt e parë. Po, po!

Dhe i siguroj se nuk do mbetet asnjë projekt pa u realizuar.

Por kthehemi tek vargu i poetit, qen që nga froni hanë ëndrrat e të rinjve tanë.

Ne do bëjmë gjithçka që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet.

Nuk do ndërtojmë rrugën me çmimin e 10fishtë që ndërton Kroacia.

Nuk do ndërtojmë kurrë shkolla me çmimin e 10fishtë që ndërton BE.

Nuk do ndajmë kurrë 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.

Pra, çdo premtim i yni dhe të tjerat që do bëjmë, që i kemi në përpunim, për fermerët, për të rinjtë, do jenë realitet i padiskutueshëm.

Mbi të gjitha ne do rikthejmë ligjin në këtë vend.

Do rikthejmë sigurinë për qytetarin.

Do rikthejmë ecjen tonë drejt BE dhe begatimit të vazhdueshëm të shqiptarëve.

Uluni me çdo nënë, me çdo motër, me çdo vajzë, me çdo grua dhe shtroni pyetjet: çfarë ndodhi me ne këto vite të Luçiferit, se si ne mbetëm me pensione nga 160 mijë lekë, në një kohë kur malazezët fluturuan nga 150 mijë lekë në 450 mijë lekë, çfarë ndodhi që ne mbetëm me rrogën mizerabël minimale në një kohë kur rumunët arritën nga një rrogë 160 euro në një rrogë minimale 700 euro.

Pse këto? Po ky është ligji i tregut, nga tregu pasurohen, në treg të lirë pasuria shpërndahet, pasuria përfitohet. Sigurisht ka që pasurohen më shumë, por përfitojnë, nuk mbetet ky polaritet i tmerrshëm i krijuar nga këta që hanë ëndrrat e të rinjve.

Prandaj dhe keni një mision, por ju siç keni përmbushur misionet gjer sot, kam bindjen më të thellë se misionin e fitores të zgjedhjeve të 11 majit ju do e përmbushni me garancinë më të madhe.

Edhe njëherë u uroj këtë ditë, uroj për të gjithë gratë, vajzat, nënat, motrat shqiptare Krishtlindjet dhe Vitin e ri.

Uroj që festat e tjera t’i bëjmë me një fitore më 11 maj.

Të Fundit