Viti 2025 shpallet Vit i Shenjtë nga Vatikani, çfarë duhet të dini

Papa Francesku ishte ai i cili, ndonëse në karrige me rrota, mbrëmjen e së martës nisi ceremoninë duke trokitur disa herë në derën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Ceremonia në Vatikan përuroi traditën çerekshekullore të njohur si jubile.

Jubileu synohet të jetë një periudhë reflektimi, pajtimi dhe ripërtëritjeje.

Shpesh ky vit shënohet nga një gamë e gjerë ngjarjesh kulturore dhe fetare, si mesha dhe koncerte, dhe synon të frymëzojë besimtarët katolikë që të nisin pelegrinazhet, të pendohen dhe të falin mëkatet e të tjerëve.

Kreu i Kishës Katolike ia kushtoi këtë jubile temës së shpresës.

“Motra dhe vëllezër, ky është Jubileu. Kjo është stina e shpresës në të cilën ne jemi të ftuar të rizbulojmë gëzimin e takimit me Zotin. Jubileu na thërret për rinovim shpirtëror dhe na angazhon për transformimin e botës sonë, në mënyrë që ky vit të bëhet vërtet një kohë gëzimi,” tha Papa Françesku teksa foli me të pranishmit në Meshën e Bazilikës së Shën Pjetrit.

Papa u bëri thirrje besimtarëve që të rikthejnë shpresën në botë.

“Ne jemi thirrur t’u sjellim shpresë të munduarve që nuk kanë forcë për të vazhduar, të vetmuarit të shtypur nga hidhërimi i dështimit dhe të gjithë atyre që janë me zemër të thyer. Cojeni shpresën atje, mbillni shpresën atje. Jubileu tani është hapur që të gjithë njerëzit të marrin shpresën.”

Kreu i Vatikanit do të nënvizojë këtë mesazh shprese kur të hapë një derë të shenjtë të enjten në burgun Rebibbia të Romës. Ky veprim synon të ngjall shpresë për një të ardhme më të mirë në zemrat e të burgosurve.

Të Fundit