16 ton mbetje të ngarkuara në një kamion me destinacion Shqipërinë janë sekuestruar në Portin e Ankonës nga Guardia di Financa dhe autoritetet doganore italiane.
Mediat në vendin fqinj raportojnë se mbetjet i përkisnin një kompanie eksportuese italiane, e cila kishte tentuar të kontrabandonte mbetjet drejt vendit tonë.
Ngarkesa ra në sy për shkak të disa pasaktësive në dokumentacion dhe më pas autoritetet italiane vendosën të kryejnë kontrollin e ngarkesës. Nga verifikimet u vu re se brenda thasëve kishte mbetje tekstile, rrobash dhe pëlhurash, të cilat janë klasifikuar si potencialisht të rrezikshme për mjedisin.
Duke pasur parasysh se Shqipëria e ka të ndaluar importin e mbetjeve, ato po tentoheshin të futeshin në vendin tonë në mënyrë të paligjshme. Është e paqartë se cilët kanë qenë pritësit e kësaj ngarkese në Shqipëri, vlera e të cilës llogaritet në disa mijëra Euro.
Për dërgesën nuk kishte as edhe një autorizim paraprak nga autoritetet e vendit tonë.
Autoritetet italiane njoftuan se kryen sekuestrimin e ngarkesës, ndërsa ndaj pronarit të kompanisë janë ngritur dy akuza në gjendje të lirë; ajo e trafikut të paligjshëm të mbetjeve dhe falsifikim dokumentesh.