U arrestua për kokainë, djali i artistit del i përfshirë dhe në trafikun e armëve

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë realizuar një aksion të përbashkët që ka pasur si qëllim goditjen e grupeve kriminale të angazhuara në trafikun e armëve dhe drogës mes dy vendeve. Operacioni i koduar “Demontimi” ka çuar në sekuestrimin e 64 armëve zjarri dhe arrestimin e 16 personave të dyshuar.

Sipas informacionit të shpërndarë nga autoritetet, gjatë aksionit janë arrestuar 6 persona në Shqipëri dhe 10 në Kosovë, ndërsa 23 armë janë sekuestruar nga shërbimet e Policisë së Tiranës dhe 41 të tjera nga autoritetet kosovare.

Emrat e të arrestuarve në Tiranë janë: Euxhenio Manushi (20 vjeç), Endri Papa (34 vjeç), Aurel Manreka (28 vjeç), Gersi Llozha (22 vjeç), Kleo Muçalliu (26 vjeç) dhe Tonin Shkambi (53 vjeç).

20-vjeçari Euxhenio Manushi rezulton i arrestuar disa ditë më parë gjatë një aksioni anti-drogë në Tiranë ku u kap me 1 kg kokainë të pastër së bashku me bashkëpunëtorin e tij Klaudio Serjani. 20-vjeçari është djali i artistit të njohur si “Ad sybardhi”.

Operacioni “Demontimi” ka nisur me hetime që nga shkurti i vitit 2024, pas informacioneve të grumbulluara nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Tiranë, i cili kishte dyshime për aktivitete të trafikimit të armëve dhe lëndëve narkotike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Pasi u kryen hetime të mëtejshme, u krijua një ekip i përbashkët hetimor, që realizoi operacione të koordinuara dhe shkëmbim informacioni për të ndaluar aktivitetet kriminale.

Të Fundit