Muhamed është emri më i preferuar për djem në Angli për herë të parë.

Muhamed është bërë emri më  popullor për djem në Angli dhe Uells për herë të parë, sipas të dhënave të reja nga Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS).

Ky emër ka qenë në listën e 10 emrave më të popullor për djem që nga viti 2016, por tani ka kaluar emrin e mëparshëm më të preferuar, Noah. Oliver është renditur i treti në rangimin e emrave për 2023 në Angli dhe Uells.

Për vajza, Olivia ka mbetur emri më i preferuar për vitin e tetë radhazi, ndërsa Amelia dhe Isla janë renditur të dyta dhe të treta.

Çdo vit, ONS analizon të dhënat më të fundit për emrat e foshnjave, duke zbuluar emrat më të pëlqyer – dhe më të papëlqyerit – në Angli dhe Uells. Rangimet janë krijuar duke përdorur shkrimin e saktë të emrave të dhënë në regjistrimin e lindjes, që do të thotë se emrat e ngjashëm me shkronja të ndryshme janë numëruar veçmas.

Tre variante të emrit arab Muhammad ishin në listën e 100 emrave më të pëlqyer për djem në Angli dhe Uells në vitet e kaluara, por ky është viti i parë që një variant i vetëm i këtij emri ka arritur të renditet në vendin e parë.

Në vitin 2023, janë lindur 4,661 djem me emrin Muhammad në Angli dhe Uells, nga 4,177 në vitin 2022, ndërsa Mohammed ka ardhur në vendin e 28-të me 1,601 dhe Mohammad në vendin e 68-të me 835.

Të dhënat tregojnë se Muhammad ishte emri më popullor për djem në katër nga nëntë rajonet e Anglisë dhe i 63-ti më i popullarizuar në Uells. Ndërkohë, Olivia ishte emri më popullor për vajza në pesë nga nëntë rajonet e Anglisë dhe më i popullarizuar në Uells. Ky emër ka qenë në top tre për emrat e vajzave çdo vit që nga viti 2006. Të dhënat për emrat e foshnjave mblidhen veçmas nga Agjencia e Statistikave dhe Hulumtimeve të Irlandës së Veriut. Kjo agjenci raportoi në prill se “Noah ka marrë vendin e parë për djem në 2023, pasi ka qenë në top 3 që nga viti 2019. Ndërsa Isla ka marrë vendin e parë për vajza, pasi Grace e ka mbajtur këtë pozitë për pesë vjet.”

Regjistri Kombëtar i Skocisë raportoi më herët këtë vit se në vitin 2023 Luca u bë emri më i zgjedhur për djem për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1974, duke kaluar liderin e vitit 2022, Noah. Për vajza, “Isla u rikthye në vendin e parë për herë të parë që nga viti 2021, duke kaluar Olivia, emri më popullor për vajza në vitet e fundit.”Duke folur për Anglinë dhe Uells, Greg Ceely nga ONS tha se kultura pop është një ndikues i vazhdueshëm për zgjedhjen e emrave, me një rritje të emrave të artistëve muzikorë si Billie, Lana, Miley dhe Rihanna për vajza dhe Kendrick dhe Elton për djem. Po ashtu, filmi i verës Barbie, me Margot Robbie në rolin kryesor, ka pasur një ndikim, me 215 vajza më shumë të emëruara Margot krahasuar me vitin 2022, duke e bërë emrin të renditet në vendin e 44-të mes 100 emrave më të popullarizuar për vajza.

Por, ndërsa kultura pop duket se ka një ndikim mbi prindërit, familja mbretërore duket se ka pasur efekt të kundërt, me emrat mbretërorë që kanë rënë në popullaritet në vitin 2023. George renditet i katërti me 3,494 foshnje janë quajtur kështu – hera e parë që George ka rënë nën 4,000 emra në gati dhjetë vjet. William ka ardhur në vendin e 29-të dhe Louis në vendin e 45-të për djem, ndërsa Charlotte renditet e 23-ta për vajza.Stinët e vitit kanë pasur gjithashtu ndikim për vajzat, me emrat Autumn dhe Summer që janë rritur në popullaritet, veçanërisht gjatë sezoneve përkatëse; të dy emrat ishin në top 100. Në dhjetor, emrat Holly, Robyn dhe Joseph ishin më të preferuar.Në vitin 2023, disa emra të rinj hynë në listën e 100 më popullor për vajza në Angli dhe Uells, përfshirë Hazel, Lilah, Nevaeh dhe Raya, ndërsa për djem hynë emrat Jax, Enzo dhe Bodhi. Përkthyer nga The Guardian

 

Të Fundit