Detaje të reja janë zbuluar nga ekzekutimi i 50-vjeçarit Alfred Dedja, ngjarje që ndodhi pasditen e së dielës në një restorant në zonën e Ndroqit, në periferi të Tiranës.
Autor i kësaj ngjarje dyshohet se është 27-vjeçari Julian Gjoshi, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Sipas Klan News mësohet se Dedja u qëllua sapo hyri në lokal.
Në një prej tavolinave të restorantit, autori i dyshuar ka qenë së bashku me një të njohur të tij dhe ka qëlluar sapo është afruar me Dedjen.
Gjoshi nuk e ka nxjerrë pistoletën nga xhupi dhe ka qëlluar menjëherë nga xhepi ku e mbante. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar edhe disa xhama të lokalit, që ditën e sotme janë mbuluar nga pronarët e restorantit.
“Ngjarja ka ndodhur pikërisht pranë xhamit ku janë mbuluar, në tavolinën pas saj. Grupi hetimor gjatë mbrëmjes ka rindërtuar skemën e krimit. Në bazë të verifikimeve të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë arritur në përfundimin që ngjarja ka ndodhur në pak sekonda dhe askush nuk ka kuptuar dinamikën si ka ndodhur. Ndonëse në momentet e para grupi hetimor deklaroi që viktima ishte i ulur në lokal ka rezultuar më pas në bazë të këqyrjes së kamerave të sigurisë se ka qenë autori i ulur së bashku me një person të njohur të tij në tavolinën që ndodhet në afërsi të xhamit dhe më pas viktima ka hyrë në ambientet e lokalit dhe menjëherë sapo janë afruar me njëri-tjetrin e ka qëlluar me armë zjarri pistoletë. Krimi ka ndodhur shumë shpejt. Autori nuk e ka nxjerrë pistoletën nga xhupi, ka qëlluar nga xhepi i xhupit aty ku mbante pistoletën dhe më pas është larguar menjëherë me automjetin që e mbante të parkuar në ambientet e jashtme të lokalit”, tha gazetari.
Makina është larguar më pas në drejtim të Durrësit. Aty janë përqendruar edhe kërkimet ditën e djeshme.
Ndërkohë gjatë natës janë marrë në pyetje disa persona, si familjarë të viktimës, po ashtu dhe familjarë të autorit që kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni të ndonjë konflikti mes dy palëve. Siç raporton gazetari në total janë shoqëruar rreth 20 persona.
Ndërsa vendi është ende në perimetrin e sigurisë së policisë. Atje pritet të shkojë grupi hetimor për të ri-inspektuar zonën që ndodhi pasditen e së dielës.
Grupi hetimor deri më tani ka gjetur një prej gëzhojave.
Gjoshi rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje. Po ashtu dhe viktima mësohet se ka qenë i skeduar nga policia për vjedhje dhe trafik narkotikësh.