“I është prishur gjendra e lotit” Sëmuret Pajtime Fetahu nis marifetet për dalë nga qelia

Që ditën kur u arrestua me kërkesë të SPAK, ish gjyqtarja Pajtime Fetah, e rekrutuar nga Suel Çela, ka nisur makinacionet dhe marifetet për të dalë nga burgu. Duke i njohur mirë rrugët dhe manovrat për të lënë qelinë, pasi ka qenë vetë pjesë e sistemit, ish gjyqtarja është ‘sëmurë’ që natën e parë në burg. Ish gjyqtarja është ankuar për një përkeqësim të çrregullimit të gjendrës së lotit, pra për prodhim të tepruar të lotëve.

Për herë të parë, Pajtime Fetahu pretendoi se vuante nga lotimi i tepruar që kur Komisioni i Vetingut i dërgoi dosjen e hetimit dyvjeçar për pasurinë dhe lidhjet me krimin. Sapo u njoh me dosjen dhe të drejtën për të parashtruar prapësimet e saj për konstatimet, Pajtimi Fetah dha dorëheqjen si gjyqtare pranë Gjykatës Elbasan, me pretendimin se do të dilte në pension të parakohshëm pasi i lotonin sytë. Në vend që të referonte dosjen në SPAK, Komisioni i Vetingut fshehu faktet penale të zbuluara gjatë hetimit 2020-2022, ndërsa pranoi dorëheqjen e Pajtime Fetah, duke e përjashtuar për 15 vite nga drejtësia.

Dokumentet diagnostikuese dhe viziat mjekësore për lotimim e tepëruar ish gjyqtarja pritet t’i paraqesë në gjykatë kur të kërkojë sërish ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie ose detyrim paraqitje.

Ndërkaq, në seancën për komfirmimim e masës së sigurisë, Pajtime Fetah paraqiti edhe një dokument të Bashkisë Elbasan, në të cilin thuhej se ish gjyqtarja kishte një sjellje të mirë dhe se gëzonte respekt në popullin e Elbasanit. Në një kohë kur dosja e SPAK konfirmon se gjyqtarja gëzonte respekt nga grupet kriminale dhe se ishte vendosur në shërbim të tyre, Bashkia e Elbasanit, përmes dokumentit, pothuajse e shpall Pajtime Fetah ‘Qytetare Nderi’. Letra e Bashkisë Elbasan u paraqit nga gjyqtarja në seancë në funksion të kërkesës së saj për të ndryshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Gjyqtarja u denoncua në vitin 2017 nga emisioni Stop, me zë dhe figurë, duke marrë para në këmbim të vendimeve korruptive. Asokohe u pezullua nga detyra, por gjyqtarja arriti të mbyllte dosjen penale dhe të rikthehej në sistem falë Ilir Metës në KLD, tek i cili Suel Çela pretendon se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme.

Në nëntor të vitit 2021, Pajtime Fetah, pas një tjetër denoncimi nga STOP për korrupsion dhe vendime false, iu nënshtrua një tjetër procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cënim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim, ndërsa KLGJ aplikoi ndaj saj masën e uljes së pagës me 20%. Kjo është edhe arsyeja se pse gjyqtarja porositi te Suel Çela goditjen e gazetarit Saimir Kodra dhe të avokatit Arben Llangozi.

Edhe pse Stop ka denoncuar që nga viti 2017, me fakte dhe prova, aferat korruptive të gjyqtares Pajtime Fetah, kjo e fundit është mbrojtur sa nga prokuroria, sa nga ish KLD, KLGJ dhe sidomos nga Komisioni i Vetingut, të cilit iu deshën 5 vite për të larguar gjyqtaren nga sistemi. Për 5 vite në sistem, 2017-2022, Pajtime Fetah, siç edhe e tregon dosja e SPAK, ka bërë kërdinë me vendime korruptive dhe të falsifikuara, duke dëmtuar rëndë të drejtat e palëve në proceset gjyqësore.

Të Fundit