Një 50-vjeçar është arrestuar nga policia në Durrës, pasi ushtronte aktivitet tregtar të paregjistruar.
Gjatë kontrollit, atij i janë gjetur dhe u sekuestruan 3528 paketa të ndryshme pa pullë fiskale.
Aksioni është kryer nga Sektori i Krimit Ekonomiko-Financiar, kurse i prangosuri është shtetasi L. H., ndaj të cilit janë ngritur 8 akuza.
“I arrestuari u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke ushtruar aktivitet tregtar të paregjistruar, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe u sekuestruan 3528 paketa të ndryshme pa pullë fiskale”, tha policia.
50-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”.