Në një konferencë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha ka përshëndetur protestuesit e ditës së djeshme gjatë takimit të Kryeministrit Edi Rama me diasporën në Londër.
Sali Berisha: Së pari dua të shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj bashkëatdhetarëve tanë në Londër, të cilët me një kurajo dhe përgjegjësi të lartë qytetare, i dëshmuan Londrës, Britanisë së Madhe dhe mbarë kombit shqiptar se Edi Rama ishte jo vetëm i padëshirueshëm me suitën e tij elektorale në Londër, por ai u soll aty tipikisht si një narkodiktator. Rojet dhe badigardët e tij ndërmorën aktet brutale të dhunshme, thyen kafka, plagosën, zvarritën demonstrues paqësorë vetëm e vetëm se ata me guxim kërkuan nga Edi Rama të largohej. Denoncuan vjedhësit, hajdutin kryesor të kombit si të tillë dhe suitën e tij. Unë përshëndes sot të gjitha ata qindra shqiptarë, ata dhjetëra e dhjetëra guerrilas të demokracisë që protestuan dje kundër narkodiktatorit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se rojet dhe badigardët ndërmorrën aktet brutale të dhunshme, thyen kafka, plagosën, zvarritën demonstrues paqësorë vetëm e vetëm se ata me guxim kërkuan nga Edi Rama të largohej.
Sali Berisha: I uroj të shpejtë Ilir Meshit dhe të gjithë demonstruesve paqësorë të lënduar nga banditë të paguar, badigardë, anëtarë të bandave kriminale që shoqëronin Edi Ramën në atë takim. U bëj thirrje emigrantëve shqiptarë, të gjithë shqiptarëve jashtë vendit të ndëshkojnë Edi Ramën më votën e tyre. Të demonstrojnë fuqishëm ndaj çdo paraqitje të tij elektorale. Aktet e dhunshme ndaj atyre që ky i ka përzënë nga Shqipëria, përbënin një krim dy herë më të shëmtuar. Një kryeministër me zero tolerancë ndaj kundërshtimit dhe kundërshtive është një narkodiktator i shëmtuar dhe meriton të kundërshtohet dhe vetëm të kundërshtohet. Edhe njëherë, mirënjohjen më të madhe atyre që organizuan, atyre që morën pjesën dhe atyre që nga ajo sallë dëshmuan se Edi Rama ishte aty me banditë, kriminelë, njerëz pa kod dhe moral.