Ndërron jetë në ditën e lindjes mjeku i njohur shqiptar

Ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare, mjeku i njohur Agim Karaj. Karaj është një prej emrave më të njohur në fushën e mjekësisë dhe onkologjisë në Shqipëri.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tij e dhanë familjarët përmes rrjeteve sociale.

“Me hidhërim të thellë dhe me dhimbje shumë të madhe njoftoj ndarjen nga jeta të babait tonë Prof.Dr Agim Karaj. Homazhet fillojnë sot ditën e hënë në orën 10.00 dt 25.11.2024. Ceremonia e varrimit bëhet diten e martë në date 26.11.2024 ora 11.00. Varrimi bëhet në Tufinë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

Agim Karaj ka ndërruar jetë në ditën e tij të lindjes. I lindur më 25 nëntor 1950 në Tiranë, ai ishte një shembull frymëzimi për përkushtimin dhe pasionin e tij në profesion.

Përveçse i shkëlqyer në studime, ai spikati edhe në sporte të ndryshme dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1975, Dr. Karaj filloi karrierën si kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku më pas u specializua si kirurg onkolog.

Në vitin 1987, ai u specializua në Institutin “Gustave Roussy” në Paris, një nga institucionet më të mira në botë për onkologji dhe onkoplastikë. Karriera e tij u pasurua nga pjesëmarrje në trajnime dhe konferenca ndërkombëtare, si dhe nga referimet e tij në institucione të njohura si Instituti i Onkologjisë në Milano.

Në vitin 1990, ai emigroi në Kanada, ku punoi me përkushtim dhe sakrifica për të ndërtuar një jetë të re për veten dhe familjen e tij. Pas stabilizimit të familjes, në vitin 1996, Dr. Karaj u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të kontribuonte si shef kirurgjie në Spitalin Onkologjik deri në vitin 2015.

Të Fundit