“Shpopullimi” Faktorët e tkurrjes së popullsisë shqiptare, dy arsyet kryesore

Shqiptarët po emigrojnë ne masë, gratë po lindin më pak fëmijë, të moshuarit po jetojnë më gjatë, popullsia po plaket dhe po tkurret. Popullsia e Shqipërisë zvogëlohet çdo orë me 4 banorë. Në krye të një dite ne jemi 91 shqiptarë më pak, ndërsa në një vit pakësohemi mesatarisht me 33 mijë banorë. Arsyet që arritëm deri këtu janë disa, por, më kryesoret, janë dy: emigrimi masiv dhe ulja e e ndjeshme lindshmërisë. Ekspertët dhe përfaqësuesit e zyrës së UNFPA në Shqipëri theksuan rëndësinë që këto shifra duhen parë përtej raportimeve të statistikave të ftohta, por, më së shumti, në rrafshin e diskutimeve dhe propozimeve për politika afatshkurtra dhe afatgjata.

Drejtuesja e zyrës së UNFPA Albania, Dr. Manuela Bello e vuri theksin tek parimet e UNFPA që janë të pranishme, në çdo lloj politike apo strategjie që ne përpilojmë, parimet e të drejtave të njeriut të jenë ato që do prevenojnë çdo lloj politike. Gjithashtu ajo theksoi që nuk përbën problem, nëse një person zhvendoset dhe vjen nga një fshat apo qytet, qoftë edhe në një vend tjetër; nuk përbën problem që është rritur popullsia e moshës së tretë, apo ka rënë lindshmëria. Ajo që duhet të jetë e rëndësishme për ne, është që të jemi në gjendje të kuptojmë këto ndryshime dinamike të popullsisë, të jemi në gjendje ti parashikojmë ato dhe të krijojmë aftësitë dhe kapacitetet e duhura për të zbutur apo për të përballuar pasojat e këtyre ndryshimeve demografike, në të sotmen por edhe në të ardhmen.

Shifrat tregojnë se, pas viteve ’90, popullsia e Shqipërisë ra në mënyrë drastike nga 3.2 milionë në 2.4 milionë. Në vitet e para pas demokracisë, faktori i vetëm që ndikoi në uljen e popullsisë ishte emigracioni. Sipas të dhënave të INSTAT në një vit Shqipëria numëron 50.000 njerëz që emigrojnë. Sot, në Shqipëri ka aq shqiptarë sa edhe kanë emigruar, 2.4 milionë.

Para viteve 90 faktori emigracion ishte zero. Ndaj popullsia njihte vetëm rritje, shtuar këtu edhe boom-in e lindjeve nxitur nga politikat e kohës së komunizmit për shtimin e popullsisë. Por gjithçka u përmbys me ndryshimin e sistemit

Arjan Gjonça, demograf dhe profesor në London School of Economics shprehet se rënia e lindshmëria është në një trajektore me vendet e tjera të botës. Çfarë është shqetësuese për të është emigracioni i paprecedent. Gjonça deklaron:

“Emigracioni nuk është ulur aspak, dmth në dekadën e fundit njerëzit kanë emigruar, po të shikosh shifrat me rreth 48 mijë në vit, në krahasim me dekadën më parë. Pra ne vazhdojmë emigrojmë me të njëjtin ritëm. Të shpjegosh emigracionin ka shumë teori, por unë do ndalem tek ajo që përmendet më shpesh, që nuk kanë me se të jetojnë. Ne kemi teorinë e faktorëve shtytës dhe faktorëve tërheqës. Nëqoftëse deri në 2011 ose në 2015 faktorët shtytës ishin më të fuqishëm, dmth kishte një nivel më të lartë varfërie, ne nuk shikojmë nje nivel varfërie absolute tani. Shikojmë një pabarazi të madhe sociale, por nuk shikojmë për shembull mungesën e të paturit punë, mungesën e të paturit të një gjendje ekonomike për të jetuar. Ajo që shikojmë ne është që janë faktorët tërheqës, janë faktorët që njerëzit duan një jetë më të mirë dhe e kanë këtë të drejtë.”.

Nga ana tjetër, edhe lindshmëria e ulët ka bërë punën e vet në ndryshimin e piramidës së popullsisë shqiptare. Në vitet 1960 kishim lindshmëri të lartë, 7 fëmijë për një grua. Sa më shumë kalonin vitet pas 90, aq më shumë ulej numri i lindjeve për një grua, derisa shkoi nga 3.2 në 1.65 në 2011, në 1,32 në vitin 2021 e së fundmi në 1.2 në 2023.

Ky shqetësim u ngrit nga sociologu Gëzim Tushe.

“Kemi ritmet më të larta në Evropë të plakjes së popullsisë. Ne mund të krahasohemi me Portugalinë, me Spanjën me disa vende të tjera evropiane për shkak të ritmit. Pse? Sepse ne 33 vite më parë ishim popullsia më e re e Evropës me moshë mesatare 27 vjeç dhe tani kemi arritur në 38 vjeç, kur kufirin tavan e ka arritur me 42 vjeç Franca etj. Në 30 vjet ritmet e plakjes janë të jashtëzakonshme. Ne kemi pasur 1 milionë e 450 mijë fëmijë të moshës shkollore në vitet 90, sot kemi 400 mijë.”

Emira Galanxhi, demografe dhe statisticiene, duke folur për shifrat e emigracionit bëri këtë koment.

“Prindërit, duke menduar se fëmijët e tyre mund të arsimohen më mirë jashtë vendit, i përgatisin ata që kur janë në 9 – vjeçare apo gjimnaz që të mësojnë të dalin me nota të mira, që të shkollohen jashtë. Është një lloj dëshire, një lloj planifikimi. Përsa i përket emigracionit, çdo njeri ka dëshirën të jetë i lirë. Deri në vitin 90 ishim të gjithë të mbyllur. Me ardhjen e demokracisë të gjithë mendonin të jetonin atje ku donin. Rinia e sotme, le ta themi hapur, nuk ka shumë qejf të punojë në fshat, kështu që fillimisht vjen drejt qytetit, pastaj gjen mënyrat e veta për t`u larguar jashtë.”.

Po të hedhim një vështrim pas ndër vite, numri absolut i lindjeve ka ardhur në rënie dekadë pas dekade. Nga 53 mijë lindje në vitin 2001, në 34 mijë në vitin 2011. I ulët, por favorizues për rritjen e popullsisë, për sa kohë numri i vdekjeve ishte në nivele të rreth 20 mijë vdekje në vit. Kjo prodhonte një rezultat pozitiv për shtesën e popullsisë. Historia ndryshoi trajtën e saj në vitet 2020-2021 kur numri i vdekjeve tejkaloi lindjet, 30 mijë vdekje në vit. Një pikë kthese shënoi 2023, kur lindjet ishin 2 mijë më shumë se vdekjet. Shenjë e mirë, por sërish e pamjaftueshme për demografinë. Këto që po flasim nuk janë thjesht shifra të shpërndara ndër vite. Dhe do e sqarojmë edhe pse: një fëmijë i munguar në lindje në 2011, tani do të ishte një 13 vjecar, që, brenda pak viteve, do të kthehej në një forcë aktive pune. Po të tilla lindje të munguara janë të paktën 7 mijë në harkun kohor nga 2011 në 2021. E, ndërsa ata i mungojnë piramidës së popullsisë, nuk ndodh kështu me të moshuarit. Në Shqipëri përqindja e njerëzve në moshë të tretë po rritet shumë shpejt dhe, po kështu, vijon rritja e jetëgjatësisë mesatare në mbi 80 vjeç.

Ndaj, sipas UNFPA, është shumë e rëndësishme të merren masa në këtë drejtim. Drejtuesja e zyrës, Dr. Manuela Bello bëri këtë përmbledhje të ndërhyrjeve që duhen ndërmarrë.

“Nuk mund të ketë politika që ne as mund t’i kopjojmë nga një vend i caktuar për t’i vënë në jetë në vendin tonë, nuk mund të ketë as politika represive që të na thonë duhet të bëjmë një, dy, tre, katër gjëra që ka bërë bota për të realizuar atë që ne duam. Nëse ne kërkojmë të rritet fertiliteti, në radhë të parë duhet të kërkojmë që grave dhe burrave t`u jepet mundësia që të kenë punë të cilat ata mund t’i kryejnë në mënyrë fleksibël, të mos jenë të detyruar të rrinë 8 orë apo 10 orë në punë. Njëkohësisht, duhet t`u sigurohet një pagë që t`iu bëjë atyre të mundur të krijojnë familjen, por edhe ta mbajnë atë, që nga sigurimi i një shtëpie, kopshti apo çerdheje, por edhe gjyshin apo gjyshen që na mban fëmijën të kemi mundësi t’i paguajmë.”

Nëse numri i popullsisë së përgjithshme, fëmijëve, adoleshentëve dhe njerëzve në moshë pune zvogëlohet me shpejtësi, rritja e numrit të të moshuarve do të jetë intensive gjatë dy dekadave të para. Pjesa e tyre në popullsinë e përgjithshme ka të ngjarë të rritet vazhdimisht nga 15,2% në fund të vitit 2020 në pothuajse 29 % në vitin 2050.

Të Fundit