Kryeministri Edi Rama ndodhej mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion” përballë Blendi Fevziut. Kreu i qeverisë diskutoi dhe u pyet për një sërë shqetësimesh dhe tematikash, ndërkohë në fokus ishte reforma e pensioneve, rritja e bonusit për ta, si dhe mundësinë për rritjen e pagesës mujore që ata marrin.
Gjatë kësaj interviste kanë ndërhyrë dhe pensionistët të cilët ishin të pranishëm në studio. Ata i kërkuan “llogari” kreut të qeverisë, duke e pyetur se çfarë do të ndodhë pasi çmimet e shportës së ushqimeve janë rritur dhe pensioni është i papërballueshëm. Madje, njëra prej zonjave solli në studio dhe shqetësimet sa i përket shëndetësisë.
Sipas asaj që ajo tha, për të bërë një ndërhyrje për arteriet koronale të zemrës ka pritur gjashtë muaj pas planifikimit dhe shëndetësia nuk është falas ashtu si dhe kreu i qeverisë thotë.
Kjo solli dhe “përplasje” në studio dhe kryeministri i kërkoi zonjës që të “flasim pas emisionit”. Dhe ashtu ndodhi, Rama dhe qytetarja kanë biseduar pasi kamerat u fikën dhe nga pamjet e publikuara nga vetë “Opinion”, ajo vijon të mbështesë të njëjtin mendim, ndërsa kryeministri i është drejtuar duke i thënë se kjo është një “gënjeshtër”.
Pjesë nga biseda (jo biseda e plotë, për të plotën ndiqni videon e mëposhtme)
Edi Rama: Kurse kjo tha kërkojnë lekë të gjithë, kjo është gënjeshtër.
Qytetarja: Po kërkojnë.
Edi Rama: Kjo është gënjeshtër. I ke parë gjithë doktorët e Shqipërisë? Ti je demokrate safi. Mos thuaj jam socialiste se nuk ka lezet.