Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Shkodër, ku raportohet për një masakër me 4 viktima dhe 1 të plagosur.
Të shtënat me armë zjarri janë shënuar në zonën e njohur si “5 Heronjtë e Vigut”, në lagjen e Dobraçit, ndërkohë që autoritetet janë mobilizuar menjëherë për të hetuar rrethanat e incidentit.
Sipas informacioneve paraprake, kemi të bëjmë me një atentat, ku automjeti me të cilin lëviznin disa të rinj u qëllua me breshëri plumbash nga një tjetër automjet në lëvizje.
Raportohet se mes personave që kanë humbur jetën është dhe 1 kalimtare e rastit.
Dyshohet se objektiv i atentatit janë anëtarë të familjes Lici dhe lidhje të tyre shoqërore.
Euronews Albania mëson se dy nga viktimat janë shtetasit Hamza Lici, vëllai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici, si dhe Arlind Bushati, djali i kandidatit për kryebashkiak të Shkodrës, Xhemal Bushati.
Ky i fundit vetëm pak javë më parë denoncoi në policinë e Shkodrës një kërcënim që i kishte ndodhur në pedonalen e qytetit, ku persona të paidentifikuar i drejtuan armën teksa po dilte nga një kafene.
Policia ka gritur disa postblloqe në qytetin e Shkodrës dhe po vijon punën për kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.