Ashtu sikurse ishte parashikuar ka nisur në orën 17:00 bllokimi i akseve kryesore të vendit nga Veriu në Jug. Protestuesit kanë bllokuar rrugën te mbikalimi i Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës në të dy krahët e saj.
Protestuesit brohorasin nën sloganin “Rama ik!”, ndërsa policia po mbikëqyr mbarëvajtjen e protestës.
Bllokim i qarkullimit raportohet edhe te Kthesa e Kamzës në kryeqytet. Të bllokuar janë edhe rrethrrotullimi në Levan dhe në Elbasan.
Në Milot protestuesit janë ulur në formë proteste në rrethrrotullim për të bllokuar qarkullimin e automjeteve. Protestuesit janë bashkuar nga Shkodra, Lezha e Kukësi, ndërsa Tropoja e Kurbini do të bllokojnë aksin tjetër të rrugës.
Ndërkohë, kanë nisur edhe përplasjet e para mes protestuesve dhe drejtuesve të mjeteve në Elbasan.
Qytetari: Protestoni, por çfarë faji kemi ne të qëndrojmë në rrugë. Unë vij nga puna”, thotë një nga drejtuesit e mjeteve. uart si kam larë akoma.
Protestuesit: Edhe yti hall ke edhe ne hall kemi. Të lutem prit aty…
Qytetari: Unë vij nga puna
Protestuesit: Edhe unë nga puna vij.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit janë përfaqësueses nga degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti.
Edhe në rrethrrotullimin e Rrogozhinës ka pasur debate dhe përplasje mes drejtuesve të mjeteve dhe protestuesve. “Hapni rrugën, jam për spital”, i drejtohet me tone të larta një shofer protestuesve.
“Çfarë të bëjmë o burrë, po kemi vdekje! Çfarë bëhet, jam dakord me ty, po kam hall, kemi vdekje o burrë”, shprehet një tjetër qytetar.
“S’mund të më ndalosh të drejtën të iki në shtëpinë tim o shoku, o zotëri”, thotë një tjetër.
Nga ana tjetër, deputeti Bledjon Nallbati thotë se nuk mund të lirohet rruga. Ndërkohë, protestuesit thërrasin në kor “Rama ik”.
Protestën në rrethrrotullimin e Rrogozhinës e drejtojnë tre deputetët e degëve të Partisë Demokratike në Kavajë, Rrogozhinë, Lushnjë dhe Divjakë: Bledion Nallbati, Dashnor Sula dhe Ilda Dhori.