Prokuroria e Tiranës ka relatuar konkluzionet përfundimtare për skandalin “Tire” gjatë periudhës së Covid-19. Gazetarja e Klan News, raporton se organi i akuzës ka kërkuar dënimin e Tire Alldervishit me 7 vite burgim për veprën penale, të “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se 1 herë dhe që ka sjellë pasoja të rënda.
Prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar për infermieret Sheqerije Koci, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj nga 6 vite burg. Ato akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre. Prokuroria kërkoi 6 vite burg edhe për sanitaren tjeter Rukije Hoxhaj.
Ish-sanitarja Tire Alldervishi, u denoncua në emisionin investigativ “Stop” dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere arriti t’i zhvaste vajzës së një paciente të shtruar me Covid dhe që humbi jetën në spital rreth 8 milionë Lekë.
Në Janar të 2021-shit Tire Alldervishi u arrestua, ndërsa pas 7 muajsh la qelinë me vendim të Gjykatës së Tiranës për zëvendësim të masës së sigurisë në “arrest shtëpie”. Gjykata pranoi kërkesën e palës mbrojtëse të cilët argumentuan se 58-vjeçarja nuk ka rrezik të prishë provat dhe se gjendja e saj shëndetësore është jo e mirë.
Në rrjetën e përgjimeve për këtë çështje ranë edhe 3 infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koci e Sidorela Çela dhe sanitarja Rukije Hoxhaj. Ata u liruan nga Gjykata e Apelit nën masën e sigurisë detyrim paraqitje me argumentin që prokuroria duhet të gjente prova dhe fakte bindëse për të provuar se çfarë kanë kryer konkretisht secila prej tyre.
Prokuroria argumentoi se ato kishin krijuar një skemë të mirëfilltë zhvatje në mënyrë që të përfitonin para nga pacientët e sëmurë dhe të afërmit e tyre.