Zëvendës-presidentja Kamala Harris gëzon “shëndet të shkëlqyer” dhe “formën e duhur fizike dhe mendore” për të qenë presidente e vendit, thuhet në një letër të mjekut të saj, të publikuar të shtunën, ku bëhet një përmbledhje e historikut dhe gjendjes së saj mjekësore.
Dr. Joshua Simmons, mjeku i zëvendës-presidentes Kamala Harris dhe njëkohësisht kolonel në ushtrinë amerikane, shkruan se 59-vjeçarja, ruan një stil aktiv të jetesës dhe se nga kontrolli i saj i rregullt mjekësor i bërë në muajin prill, nuk rezultoi ndonjë gjë e pazakontë.
Ajo ka “formën e duhur fizike dhe mendore për të përmbushur me sukses detyrat e presidencës, përfshirë ato të drejtueses ekzekutive, kreut të shtetit dhe komandantes së përgjithshme”, thuhet në raport.
Ekipi elektoral i Harris pret ta shfrytëzojë këtë moment për të nxjerrë në pah kontrastin me kandidatin republikan Donald Trump, i cili ka publikuar ndër vite vetëm të dhëna të kufizuara për shëndetin e tij.
Ish-Presidenti Trump ka publikuar shumë pak të dhëna shëndetësore, edhe pasi u plagos në vesh nga një plumb gjatë një atentati në korrik.
Dr. Simmons tha se nga analizat e fundit të gjakut të zonjës Harris dhe rezultatet e testeve të tjera nuk rezultoi diçka e pazakontë.
Raporti thotë gjithashtu se zonja Harris mban lente kontakti për një miopi të lehtë.
Në historikun mjekësor të familjes së saj ekziston rasti i kancerit të zorrës së trashë (nga nëna e saj). Zonja Harris ndjek me përpikmëri rekomandimet për kujdesin parandalues shëndetësor, përfshirë bërjen e kolonoskopisë dhe mamografisë çdo vit.