Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, ka ripërsëritur edhe sot kërkesën për miratimin e një ligji për sportin, ndërsa të pranishëm në ceremoninë e Mirënjohjes për medalistët e Lojrave Olimpike ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ylli tha se tashmë kanë nisur përgatitjet për Olimpiadën e 2028, ndërsa medaljet olimpike të Parisit, Presidenti i KOKSH-it, i cilësoi se të arrira me mund e djersë.
“Unë nuk mund të pranojë që sot në 2024, të bëjmë gabimet e viteve më parë, që yjet e sportit të garojmë për vendet e tjera.
Sot jemi më të sigurt pasi kemi ligjet më të mira, shpërblimet më të mira, infrastrukturë më të mirë, por a mjaftojnë këto?
Jo. Duhet ligji i sportit, mjafton të shohim vendet fqinje që kanë ligje më të mira. Ligji i sportit, investimi nga ana e qeverisë do të kthehet më pas. Ndaj insistojë që këto buxhete duhen tani, jo më vonë pasi koha ikën.
Ne nuk po qëndrojmë në pritje, por kemi nisur punën që tani, po përgatitemi që në 2028, në Los Anxhelos, në Lojërat Olimpike të ardhshme, Shqipëria të vishet me arë. Këto dy medalje olimpike janë arritur me mund dhe djersë, janë shumë të rëndësishme për sportin shqiptar, pasi këto medalje janë kthyer në frymëzim për të ardhmen”, tha Ylli.
Ndërkohë, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në 112 vite shtet medaljet e fituara në Olimpiadën e Parisit janë të parat reale.
“ E kam zemrën plot mirënjohje sot, për Fidelin, për Sahitin. Dua të falënderoj Sahitin për vizionin që kishte, më pas për Fidelin. E mbaj mend edhe sot betimin e tyre. Të falënderoj që je një gjuetar talentesh. Keni të gjithë mirënjohjen dhe respektin tonë. Në 112 vite shtet kjo është medalja e parë reale”, tha Veliaj.