Datat 2 dhe 3 korrik janë shpallur ditë zie me vendim të Këshillit të Ministrave në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në moshën 88 vjeçare.
Sipas vendimit, do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore. Ndërkohë do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore në nder të tij në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, të mërkurën në oraret 09:00-11:00 dhe 11:30-12:30. Lidhur me ndarjen nga jeta të gjeniut të letrave, kanë shprehur ngushëllimet një sërë figurash të politikës shqiptare. Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Në një postim në rrjetet sociale, Begaj shkruan se Shqipëria dhe shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkroi kreu i shtetit.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, teksa shprehu trishtimin për humbjen e shkrimtarit të madh, tha se nuk ka fjalë për këtë humbje.
“Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij. Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ky i fundit ripostoi mesazhin që ka shkruar për ditëlindjen e Kadaresë. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një mesazhi ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë u shpreh se shkrimtari ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare. Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij. Laureat i çmimeve më prestigjioze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadaresë u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës. Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativën më të mirë burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i prokrustit me vepra si ‘Pallati i Ëndrrave’ etj., për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ’90, Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se nga mërgimi në Paris, Kadare mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik, që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.
“Pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri. Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmve dhe lutem së bashku me ta që shpirti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin!”, shkroi kreu i PD-së.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nëpërmjet një postimi kujton mesazhin e fundit me kolosin e letrave shqipe.
“Sa shumë herë na ka rënë rasti të takojmë të huaj kudo në glob dhe kur i jemi prezantuar se vij nga Shqipëria të na thonë: ‘Ah qenkeni nga vendi i Ismail Kadaresë’. Kolosi i letërsisë botërore u nda sot nga ne vetëm fizikisht, ndërsa emri i tij dhe i Shqipërisë sonë do të jenë bashkë përgjithmonë. Mirënjohje ambasadorit të përjetshëm të Shqipërisë. Nuk do ta harroj kurrë mesazhin e fundit të para pak ditësh prej tij, me disa rreshta, por me shumë mësime brenda. Kishim lënë të takoheshim për një kafe për ta vijuar atë mesazh”, shkruan Balla.
Ndërkohë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare me një mesazh ngushëllimi.
“Ismail Kadare nuk është më! Kolosi ynë i mendimit, gjeniu i letrave e mbrojtësi i identitetit europian të shqiptarëve iku në përjetësi. Evropa e bota mbarë humbën një ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të nderuar me çmime prestigjioze. Zor të gjesh fjalë për njeriun e penës dhe mendimtarin që kaq shumë krenarë na bën ne shqiptarëve. Emri dhe vepra që ai ka lënë pas e bëjnë Ismail Kadarenë të pavdekshëm e përjetësisht të përbotshëm. Prehu në paqe shkrimtari ynë i madh”, shkroi Çuçi.
Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.
“Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante. Ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. Pusho në paqe, i dashur Ismail”, shkruan Veliaj.
Pesë vite më parë, Bashkia e Tiranës mori iniciativë për ta kthyer banesën ku jetoi dhe punoi Ismail Kadare në vitet e komunizmit në një shtëpi-muze. Ai është kthyer tashmë një destinacion për shumë prej turistëve të huaj.